

Qytetarët në të gjithë Shqipërinë do të kenë një numër të unifikuar për të kërkuar ndihmë në raste emergjence. Qeveria ka miratuar ngritjen dhe funksionimin e sistemit 112, i cili do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për të gjitha situatat që kërkojnë ndërhyrje urgjente.
Deri tani, janë disa numra emergjence dhe shpesh qytetarët konfuzohen. Për shembull:
☎️ Policia rrugore ………126
☎️ Ambulanca ……………127
☎️ Zjarrfikësja ……………..128
☎️ Policia e Shtetit …… 129
☎️ Qendra e thirrjeve….112
☎️ Qendra e operacioneve detare…125
Tani vendoset numri unik 112.
Kur duhet të telefononi në numrin 112?
– Në rast aksidenti rrugor;
– Kur keni nevojë për ndihmë urgjente mjekësore;
– Në rast zjarri;
– Kur jeta apo siguria juaj është në rrezik;
– Në rast tërmeti, përmbytjeje apo fatkeqësish të tjera natyrore;
– Kur jeni dëshmitarë të një situate që kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.
Nuk do të jetë e nevojshme të dini numrin e çdo shërbimi emergjence. Operatorët e 112 do të vlerësojnë situatën dhe do t’ia përcjellin kërkesën policisë, ambulancës, zjarrfikësve apo strukturave të tjera përgjegjëse.
Shërbimi do të funksionojë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Qytetarët dhe turistët e huaj do të mund të komunikojnë në gjuhën shqipe dhe angleze.
Një nga risitë më të rëndësishme është mundësia e identifikimit automatik të vendndodhjes së telefonuesit.
Nëpërmjet teknologjisë AML, sistemi do të mund të përcaktojë vendndodhjen e personave që telefonojnë nga pajisjet inteligjente Android dhe iPhone. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur qytetari nuk e di adresën e saktë ku ndodhet ose nuk është në gjendje ta tregojë atë.
Ndihma do të mund të kërkohet edhe nëpërmjet SMS-ve dhe formave të tjera të komunikimit me tekst. Kjo mundësi do t’u vijë në ndihmë veçanërisht personave me vështirësi në dëgjim ose në të folur.
Çfarë duhet të bëni kur telefononi në 112?
– Tregoni qartë se çfarë ka ndodhur;
– Jepni adresën ose vendndodhjen tuaj, nëse e dini;
– Tregoni nëse ka persona të lënduar apo në rrezik;
– Përgjigjuni pyetjeve të operatorit;
– Mos e mbyllni telefonatën pa marrë udhëzimet e nevojshme.
Numri 112 duhet të përdoret vetëm për situata emergjente dhe jo për informacione të zakonshme, ankesa apo telefonata për shaka.
Qytetarët duhet të dinë gjithashtu se çdo telefonatë në këtë numër do të regjistrohet dhe do të ruhet në një bazë të dhënash. Regjistrimet mund të përdoren nga organet ligjzbatuese kur kërkohet.
Administrimi dhe koordinimi i sistemit do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa ngritja e tij financohet në kuadër të mbështetjes së qeverisë italiane.
Kur do të nisë funksionimi i sistemit të ri? Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, në informacionin e publikuar nuk përcaktohet data kur sistemi i ri do të jetë plotësisht funksional në të gjithë vendin dhe as nëse numrat ekzistues të emergjencave do të hiqen apo do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht me 112.
Telefonata në 112 është falas, si nga telefonat celularë, ashtu edhe nga telefonat fiks, dhe shërbimi funksionon 24 orë në ditë.
Megjithatë, disa vende evropiane vazhdojnë të përdorin paralelisht edhe numrat e tyre kombëtarë të emergjencave.
Me ngritjen e sistemit të unifikuar të emergjencave 112, Shqipëria ndjek modelin e Bashkimit Evropian. Ky numër përdoret në të 27 vendet anëtare të BE-së dhe mundëson kërkimin e ndihmës nga policia, ambulanca dhe zjarrfikësit. Në tetë vende evropiane, mes tyre Danimarka, Suedia, Finlanda, Holanda dhe Portugalia, 112 është numri i vetëm kombëtar i emergjencave, ndërsa në vendet e tjera funksionon paralelisht me numrat tradicionalë. Telefonatat në 112 në të gjithë BE-në janë falas dhe shërbimi është i disponueshëm 24 orë në ditë.
Vendet e BE-së ku 112 është numri i vetëm i emergjencave
Sipas Komisionit Evropian, tetë vende kanë zgjedhur 112 si numrin e vetëm kombëtar të emergjencave:
Danimarka
Suedia
Finlanda
Estonia
Holanda
Portugalia
Rumania
Malta
/noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






