

Londër – Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka ndarë detaje prekëse nga periudha e trajtimit të saj kundër kancerit, duke rrëfyer përjetimet gjatë qëndrimit në spital dhe sfidat e rënda emocionale që shoqëruan sëmundjen. Në dokumentarin e ri “Heal”, i cili do të transmetohet në BBC One më 29 nëntor, ajo kthehet pas në kohë te ditët kritike pas ndërhyrjes kirurgjikale në janar të vitit 2024, periudhë në të cilën mori edhe diagnozën e rëndë.
Princesha kujton se qëndrimi i zgjatur në dhomën e spitalit ishte një përvojë e frikshme, izoluese dhe thellësisht çorientuese, ku kufiri mes kthjelltësisë dhe humbjes së ndjenjave ishte tepër i brishtë:
“Errësira ishte një përvojë vërtet e frikshme dhe çorientuese. Mendoj se isha herë në vete dhe herë jo. Ishte një periudhë shumë e errët”.
Në ato çaste të vështira, ajo tregon se kishte ndjerë praninë e dikujt që i mbante dorën në heshtje, pa folur dhe pa u përpjekur të ndryshonte rrjedhën e situatës, një gjest që mbetet i pashlyer në kujtesën e saj:
“Ata nuk po flisnin me mua. Nuk po përpiqeshin të rregullonin asgjë. Thjesht ishin aty. Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse pranisë së dikujt që qëndroi pranë meje në atë kohë”.
Dokumentari 30-minutësh e ndjek princeshën edhe gjatë sfidës sportive Three Peaks Challenge në muajin qershor, ku ajo ngjiti 3 majat më të larta të Anglisë, Skocisë dhe Uellsit brenda 24 orëve në mbështetje të organizatës Royal Marsden Cancer Charity. Gjatë këtij rrugëtimi, ajo shfaqet e prekur teksa vëllai i saj, James Middleton, i vendos të dëgjojë mesazhe zanore nga 3 fëmijët e saj, George, Charlotte dhe Louis, të cilët princesha i cilëson si shtysën kryesore për të lënë pas shtratin e spitalit dhe për të ecur përpara.
Në rrëfimin e saj, Kate ndalet edhe te mënyra se si sëmundja i ka ndryshuar këndvështrimin mbi jetën dhe te vështirësitë që shoqërojnë rikthimin gradual në normalitet pas përfundimit të terapive. E diagnostikuar me kancer në vitin 2024 pas një operacioni abdominal, ajo përfundoi ciklin e kimioterapisë në shtator të po atij viti dhe në janar të vitit 2025 njoftoi se sëmundja kishte hyrë në fazë remisioni, ndërsa të ardhurat nga shpërndarja e dokumentarit “Heal” do të shkojnë plotësisht në mbështetje të Royal Marsden Cancer Charity për pacientët që përballen me kancerin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






