

Tiranë – Shqipëria dhe shqiptarët kudo në botë kremtojnë ditën e shtunë 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, duke kujtuar aktin historik të vitit 1912 në Vlorë, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli mëvetësinë e vendit. Në Kuvendin e Vlorës morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë, një moment themelor që kremtohet gjithashtu si festë zyrtare edhe në Republikën e Kosovës.
Kjo datë mbart një simbolikë të dyfishtë në kujtesën historike kombëtare, pasi lidh 2 ngjarje madhore të ndara nga 469 vite. Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastriot Skënderbeu la fushëbetejën e Nishit dhe në krye të 300 kalorësve çliroi Krujën nga pushtimi osman, duke ngritur flamurin mbi kalanë e saj dhe duke hapur një epokë të re të qëndresës antiosmane.
Shekuj më vonë, më 28 nëntor 1912, në atë që njihet si “nëntori i dytë”, Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë me fjalët historike:
“Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Rrugëtimi drejt këtij akti kishte nisur më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve shqiptare. Më 21 nëntor, Ismail Qemali zbarkoi në Durrës nga avullorja e Llojdit austriak “Baron Bruck”, ku u prit në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili 1 javë më pas do të bëhej zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Vlorës. Ndonëse fillimisht ngritja e flamurit ishte menduar të zhvillohej më 22 nëntor në Durrës për të parandaluar përparimin e ushtrive pushtuese, gjendja e rënduar në qytet e shtyu Ismail Qemalin të thërriste telegrafisht delegatët drejt Vlorës.
Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit më 25 nëntor, të Tiranës e Durrësit më 26 nëntor, si dhe të Kavajës, Peqinit e Lushnjës më 27 nëntor, ngritën flamurin kombëtar pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. Po në këtë datë simbolike, më 28 nëntor 1938, nisi për herë të parë transmetimet e saj Radio Tirana, ndërsa më 28 nëntor 1955 lindi komandanti Adem Jashari.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






