

Tiranë – Mbahet ditën e shtunë në kryeqytet protesta kombëtare e thirrur nga të rinjtë, studentët dhe qytetarët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Pas gati 6 muajsh tubimesh të përditshme në rrugët e Tiranës, manifestimi i gjerë shënon ditën e 182-të të lëvizjes qytetare, duke synuar të bashkojë pjesëmarrës nga të gjitha rrethet e vendit si dhe shqiptarë të ardhur posaçërisht nga diaspora.
Zgjedhja e datës 28 Nëntor lidhet me simbolikën kombëtare të Ditës së Pavarësisë, duke e ndërthurur atë me thirrjet për ndryshime të thella politike dhe institucionale. Prej disa javësh organizatorët kanë shpërndarë fletëpalosje dhe kanë intensifikuar marshimet në kryeqytet, të shoqëruara me parullat “Kërkojmë nëntorin e tretë”, “Më 28, Rama e di vetë!” dhe “Shqipërinë nuk e falim!”.
Kërkesa qendrore dhe e panegociueshme e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Krahas saj, platforma e kërkesave përfshin reformën zgjedhore, kufizimin e mandateve të kryeministrit, luftën kundër korrupsionit, auditimin e administratës publike dhe mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.
Përgjatë 181 ditëve të kaluara, lëvizja është zhvilluar përmes marshimeve të përditshme, tubimeve përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit, si dhe përballjeve të herëpashershme me forcat e policisë, pa u ndalur as në kushte të vështira atmosferike. Studentët dhe organizatorët, të cilët i kanë refuzuar kategorikisht ftesat e shpeshta të kreut të qeverisë për dialog, deklarojnë se qëndresa në shesh do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






