

KOSOVË- Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, KFOR tha se ky ishte “takim i rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët të Zbatimit të KFOR-it (JIC) dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF)”.
Sipas tyre, këto takime janë “rutinë dhe synojnë që palët të mbahen të informuara dhe të komunikojnë në kohë e në mënyrë efektive”. Ata kanë shtuar se gjatë viteve, takimet janë mbajtur në vende të ndryshme, përfshirë edhe selinë e KFOR-it.
Duke shtuar se KFOR-i mban komunikim të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare, KFOR tha se ky komunikim është “thelbësor për të parandaluar keqkuptimet, për të ulur rrezikun e tensioneve dhe për të trajtuar shqetësimet e mundshme të sigurisë”.
“Këto marrëveshje prej vitesh shërbejnë si kornizë për mbajtjen e kontakteve, komunikimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe me sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thanë ata.
Kritika për mënyrën si KFOR-i prezantoi takimin me ushtrinë serbe Përderisa vetë takimi, për Jeta Loshajn nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, është pjesë e një procesi normal të komunikimit mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë, mënyra se si u prezantua publikisht, është problematik.
Ajo thotë se takime të këtij lloji rëndom zhvillohen pa promovim mediatik, sepse sipas saj, dihet “sa e ndjeshme është kjo temë për qytetarët e Kosovës”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 dhe e konsideron vendin pjesë të territorit të saj.
Sipas Loshajt, përdorimi i hashtag-ut #AsOneTeam, nuk ishte gjest “as i ndjeshëm e as i përshtatshëm”, duke argumentuar se Ushtria serbe “nuk është pjesë e ‘ekipit’ të Kosovës, por është palë të cilës, në bazë të marrëveshjes së Kumanovës i ndalohet të hyjë në territorin e Kosovës pa leje përkatëse nga KFOR-i”.
“Dua te besoj se ishte gabim komunikimi dhe jo pjesë e ndonjë qëllimi politik. Megjithatë, një gabim i tillë ka kosto, sepse cenon pikërisht besimin që KFOR-i ka ndërtuar me vite te qytetarët e Kosovës”, thotë ajo për REL.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar me pyetje qeverisë së Kosovës se a kishin informacione paraprakisht, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.
Megjithatë, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, publikisht paraqiti kritika për këtë takim.
Ndonëse tha se nuk e vë në dyshim rëndësinë e komunikimit mes KFOR-it dhe ushtarakëve serbë për parandalimin e incidenteve, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën “e respektit të ndërsjellë”, dhe, sipas tij, “pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”.
“Kjo ndjeshmëri është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe. Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Bajqinovci, i cili është kryetar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme. Por, sipas tij, çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën, “duhet të pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”.
Reagime të shumta pati edhe në rrjetet sociale, ku shumë argumentuan se përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe e sheh si territor të saj, ka “zero arsye” që ushtarakët serbë të mirëpriten brenda territorit të Kosovës nga KFOR-i.
Disa qytetarë e panë si shkelje të sovranitetit të Kosovës, e disa si anashkalim të institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq, Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë argumenton se KFOR-i duhet të jetë i paanshëm dhe shqetësimi real për këtë takim është më shumë te perceptimi dhe besimi ndaj këtij misioni.
“Por, paanshmëria nuk do të thotë që Ushtria e Serbisë të trajtohet në publik si partner i barabartë në Kosovë. Kjo është ushtria e një shteti që jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por vazhdon të insistojë ndaj aspiratave territoriale ndaj Kosovës, dhe që as sot nuk ka dhënë llogari për Banjskën, e lëre më për krimet kundër njerëzimit gjatë luftës”, thotë ajo, duke shtuar se do të ishte mirë që KFOR-i në të ardhmen të koordinohet më mirë me institucionet e Kosovës.
Ajo thotë se Kosova duhet të reagojë ndaj takimit me qetësi e pa emocion dhe mesazhi duhet të jetë që komunikimi është i nevojshëm, “por mënyra si promovohet ka rëndësi”.
“Në Kosovë ka ende kujtesë të freskët për atë që ka bërë kjo ushtri në të kaluarën”, thotë ajo.
Sipas saj, qytetarët dhe institucionet e Kosovës meritojnë më shumë kujdes dhe që të informohen paraprakisht për takime të tilla.
“Kjo nuk është çështje lejeje. Është çështje respekti dhe partneriteti. Duhet theksuar edhe se kjo ndodhi vetëm një ditë pasi në Beograd përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë përsëriti qëndrimin se KFOR-i është ‘i vetmi formacion i armatosur legjitim’ në Kosovë. Ky qëndrim synon drejtpërdrejt delegjitimimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në këtë kontekst, një postim me #AsOneTeam rrezikon t’i japë Beogradit material për narrativin e vet”, thotë Loshaj për REL.
Takimet mes KFOR-it dhe Ushtrisë së Serbisë Takimet mes KFOR-it – reaguesit të tretë të sigurisë në Kosovë – dhe Ushtrisë së Serbisë janë të zakonshme. Megjithatë, për dallim nga takimi i 26 nëntorit, takimet e fundit janë mbajtur në Serbi.
Shembull, më 16 tetor të këtij viti KFOR-i njoftoi se komandanti i misionit, gjeneralmajor Roberto Vergori, ishte takuar me shefin e Ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq. Që atëherë, ky i fundit ka njoftuar për pensionim./REL
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






