

Berlin – Revista gjermane Der Spiegel ka cilësuar Elon Musk, Peter Thiel, Sam Altman dhe figura të tjera të peshës së rëndë në industrinë e teknologjisë si “diktatorë të inteligjencës artificiale”. Sipas analizës së botuar nga e përjavshmja, këta sipërmarrës synojnë të shfrytëzojnë fuqinë e inteligjencës artificiale për të ushtruar një ndikim që tradicionalisht u përket institucioneve dhe qeverive të zgjedhura, pasi përqendrimi i kapitalit, teknologjisë dhe burimeve në duart e një rrethi të ngushtë u jep atyre levat për të ndikuar drejtpërdrejt në politikë, shoqëri dhe vendimmarrjen globale.
Artikulli vendos paralele mes figurave të sotme të teknologjisë dhe manjatëve të së kaluarës, të cilët mbanin nën kontroll linjat hekurudhore dhe rrjetet telegrafike. Megjithatë, sipas këtij këndvështrimi, ambiciet e aktorëve të tanishëm shkojnë përtej administrimit të infrastrukturës fizike, duke u përpjekur të përcaktojnë vetë rregullat e funksionimit të shoqërisë në të ardhmen.
Historiania e Universitetit të Harvardit, Jill Lepore, tërheq vëmendjen se këta miliarderë po japin formë atij që ajo e quan një “shtet artificial”, ku parimet demokratike rrezikojnë të zëvendësohen nga një arkitekturë e drejtuar nga makinat. Sipas saj, ekziston një mospërputhje e dukshme mes premtimeve të këtyre liderëve për ta çliruar njerëzimin nga varfëria dhe sëmundjet dhe alarmeve të tyre për rreziqet ekzistenciale të inteligjencës artificiale, por në të dyja rastet ata mbajnë për vete pretendimin për të vendosur mbi të ardhmen e njerëzimit.
Një dimension tjetër i vënë në dukje në shkrim është përgatitja e aktiveve për skenarë krizash globale. Mark Zuckerberg raportohet se po ngre një kompleks të gjerë në Hawaii, i pajisur edhe me një bunker nëntokësor, ndërsa Sam Altman ka bërë të ditur se ruan rezerva ari, uji, ilaçesh dhe mjetesh mbrojtëse për situata emergjente. Der Shpigel
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






