Transmetuar më 27-11-2026, 21:22

Tiranë – Punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, si dhe drejtuesi i saj, do të përfitojnë mbrojtje të posaçme në rast se kërcënohen për shkak të detyrës. Vendimi i miratuar nga qeveria parashikon ruajtje fizike, shoqërim dhe masa të tjera sigurie jo vetëm për vetë nëpunësit, por edhe për familjarët dhe pronën e tyre.

Akti i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga ministri i Drejtësisë, përcakton rregullat dhe procedurat që do të ndiqen për t’u garantuar siguri punonjësve të këtij institucioni, kur për shkak të ushtrimit të funksionit të tyre përballen me kërcënime nga persona të tretë. Sipas vendimit, mbrojtja do të ofrohet kur ekzistojnë rrethana serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit dhe kur kërcënimi lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.

Kjo mbrojtje e veçantë do të përfshijë masa konkrete në varësi të nivelit të rrezikut, si ruajtjen ose shoqërimin fizik të punonjësit të kërcënuar, ruajtjen ose shoqërimin fizik të familjarëve të tij kur edhe ata janë të rrezikuar, si dhe marrjen e masave për ruajtjen e pronës. Këto masa nuk do të aktivizohen automatikisht në çdo rast, por do të vendosen pas shqyrtimit të rrethanave dhe shkallës së rrezikut.

Për të vlerësuar nëse një punonjës përfiton mbrojtje të posaçme, pranë Agjencisë do të ngrihet Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve. Kërkesa mund të paraqitet nga vetë punonjësi i kërcënuar, nga strukturat e Agjencisë që marrin dijeni për rrezikun, ose nga institucione të tjera publike që konstatojnë situata të tilla, ndërsa Komisioni do të ketë në dispozicion 10 ditë nga paraqitja e kërkesës për të vendosur për pranimin apo refuzimin e saj. Në rast pranimi, përcaktohen masat e sigurisë, kohëzgjatja, struktura zbatuese dhe mbulimi i shpenzimeve, ndërsa mbrojtje parashikohet edhe për punonjësit që shërbejnë larg vendbanimit dhe familjes, me mundësi shtrirjeje të masave te familjarët sipas intensitetit të kërcënimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit