Transmetuar më 27-11-2026, 21:16

Tiranë – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar ditën e premte një njoftim sigurie lidhur me protestat e paralajmëruara për fundjavën e 28 dhe 29 nëntorit. Sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, demonstratat pritet të zhvillohen në qendër të kryeqytetit dhe pranë godinave qeveritare, duke rrezikuar të sjellin vështirësi në trafik, devijime të qarkullimit dhe bllokime të rrugëve.

Në njoftimin e shpërndarë për qytetarët, ambasada kujton se tubime të mëparshme kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme dhe paralajmëron për rreziqet me të cilat mund të përballen ata që ndodhen pranë këtyre zonave:

“Disa demonstrata janë shndërruar në trazira të dhunshme, me përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës”.

Përfaqësia diplomatike vë në dukje se personat që gjenden brenda ose në afërsi të perimetrit të protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur horizontalisht, mjeteve ndezëse apo predhave prej gome. Ndërkohë, ambasada u ka kërkuar punonjësve të saj që të mbajnë distancë nga çdo zonë ku zhvillohen tubime, duke përcjellë edhe një apel të drejtpërdrejtë:

“Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit”.

Për të shmangur rreziqet e mundshme, përfaqësia amerikane këshillon shmangien e zonave të demonstratave, vigjilencë të shtuar ndaj mjedisit përreth, kufizimin e përdorimit të telefonave dhe kufjeve në ambiente publike, si dhe përcaktimin paraprak të një rrugëdaljeje në rast emergjence.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit