Transmetuar më 27-11-2026, 21:09

Kamëz – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e “Ripërtëritjes” në Kamzë, akuzoi qeverisjen e Edi Ramës për varfërimin e shqiptarëve dhe largimin masiv të popullsisë nga vendi. Duke bërë një krahasim me periudhën e qeverisjes demokrate nga viti 2007 deri në vitin 2014, Berisha deklaroi se gjatë atyre viteve numri i popullsisë rritej çdo vit dhe 180 mijë emigrantë u kthyen në Shqipëri, duke e cilësuar atë periudhë si një fazë të rritjes së prodhimit, besimit dhe shpresës.

“Kishte korrupsion, por kurrë sistemik, por luftohej me vendosmërinë më të madhe”, u shpreh Berisha në fjalën e tij para mbështetësve.

Lideri i demokratëve e cilësoi buxhetin e vitit të ardhshëm si një buxhet të turpshëm dhe akuzoi ekzekutivin për abuzime masive me fondet publike e favorizim të skemave korruptive në investime. Sipas tij, nga 2,2 miliardë euro të parashikuara për investime publike, të paktën 1,8 miliardë euro do të shpërdorohen, duke përmendur si shembuj kostot e larta të ndërtimit të rrugëve e shkollave, projektin e inceneratorit të Tiranës dhe impiantin e ujërave të zeza të Lanës:

“Këta vjedhin sipas të gjitha kontrolleve të dokumenteve 90 deri në 100 për qind”.

Më tej, kreu i Partisë Demokratike kërkoi bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë si kusht të domosdoshëm për largimin e qeverisë aktuale, duke vlerësuar se protestat e fundit dhe angazhimi i forcave të reja politike e kanë përmbysur raportin e forcave në vend. Ai u bëri thirrje demokratëve, qytetarëve pa parti dhe të gjithë kundërshtarëve të qeverisë që të bashkohen pa hequr dorë nga identiteti i tyre politik:

“Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë”.

Berisha vendosi si objektiv kryesor të opozitës largimin e ekzekutivit të Edi Ramës, duke e cilësuar bashkimin e partive politike, shoqatave dhe sindikatave si të pashmangshëm dhe duke shtuar se gara e brendshme për pushtet duhet të vijë vetëm pas garantimit të zgjedhjeve të lira. Për të mbështetur këtë qasje, ai solli si shembull bashkimin e forcave opozitare në Serbi përballë Aleksandër Vuçiçit:

“Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira”.

Duke e cilësuar momentin aktual politik si një fazë vendimtare dhe duke i bërë thirrje strukturave të mos tërhiqen nga aksioni në terren, kryedemokrati deklaroi se opozita ndodhet në kilometrin e fundit dhe duhet të vijojë protestat pa ndërprerje:

“Tani që jemi në kilometrin e fundit, ne duhet të qëndrojmë si viganë. Edi Rama, përveç gjuhës së protestës, nuk njeh gjuhë tjetër”.

Në prag të protestës së 28 Nëntorit, Berisha ftoi qytetarët të bashkohen në shesh dhe kërkoi konsolidimin e frontit opozitar edhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ai vlerësoi se opozita gëzon një epërsi të qartë elektorale në kryeqytet dhe në Kamzë, duke premtuar bashkëpunim të hapur me çdo faktor kundërshtar të qeverisë dhe duke u bërë thirrje qytetarëve ta kthejnë festën kombëtare në një ditë nderimi për flamurin:

“Opozita është shumicë në Tiranë, shumicë me distancë në Tiranë. Shumicë me distancë në Kamëz. Opozita duhet të bashkohet”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit