

Elbasan – Partizani ka fituar me rezultatin e thellë 4-1 derbin kryeqytetas ndaj Dinamos, në një përballje të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” që do të mbahet mend gjatë për 4 penalltitë e akorduara në favor të të kuqve dhe përjashtimin e Bruno Ditës. Ky sukses merr një peshë të veçantë për formacionin e Partizanit, i cili arkëton 3 pikë jetike për ecurinë në kampionat, ndërsa e zhyt rivalin në krizë rezultatesh.
Të kuqtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 32-të, kur Murataj përfitoi nga një gabim i Lorran në prapavijë dhe mposhti portierin Teqja. Situata u rëndua ndjeshëm për Dinamon në fundin e fraksionit të parë, kur Bruno Dita u ndëshkua me kartonin e 2-të të verdhë dhe la skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja me 10 lojtarë në fushë. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Partizani fitoi penalltinë e 1-rë pas rishikimit të episodit në sistemin VAR, por Aliu nuk arriti të shënojë, pasi Teqja kuptoi drejtimin e gjuajtjes dhe devijoi topin, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin minimal 1-0.
Edhe në pjesën e 2-të nuk munguan episodet e pazakonta nga pika e bardhë. Partizani fitoi një tjetër 11-metërsh, por këtë herë ishte Human që u ndal sërish nga pritja e portierit Teqja. Megjithatë, gardiani i Dinamos nuk mundi të shmangte golin pak çaste më vonë, kur Aliu realizoi një goditje të saktë nga distanca duke dyfishuar shifrat. Në minutën e 68-të arbitri akordoi penalltinë e 3-të për Partizanin dhe Fadairo u tregua i pagabueshëm duke e çuar rezultatin në 3-0.
Dinamo reagoi në minutën e 83-të me golin e Nanit që ngushtoi përkohësisht diferencën në 3-1, por shpresat për një përmbysje u shuan menjëherë. Një ndërhyrje e gabuar e portierit Teqja ndaj Skukës solli penalltinë e 4-t në favor të të kuqve, të cilën e ekzekutoi saktë vetë sulmuesi duke vulosur fitoren 4-1. Me këtë triumf, Partizani ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe parakalon përkohësisht Laçin në renditje, ndërsa Dinamo regjistron humbjen e 3-të radhazi duke mbetur në kuotën e 17 pikëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






