

Pejë – Një aksident i rëndë trafiku ku u përfshinë 1 autobus dhe 1 kamion është regjistruar ditën e premte, rreth orës 14:05, në fshatin Rixhevë të Klinës, përgjatë rrugës nacionale Pejë–Prishtinë. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, përplasja ka shkaktuar edhe 10 të lënduar, konkretisht drejtuesin e autobusit dhe 9 udhëtarë të tjerë, të cilët kanë kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore.
Detajet e para mbi ngjarjen i konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se njësitë e specializuara të trafikut kanë nisur hetimet në vendngjarje:
“Rreth orës 14:05 është raportuar një aksident trafiku në fshatin Rixhevë të Klinës, në rrugën Pejë–Prishtinë. Në aksident janë përfshirë 1 autobus dhe 1 kamion. Përveç dëmeve materiale, sipas informacioneve të deritanishme, trajtim mjekësor kanë kërkuar shoferi i autobusit dhe 9 persona të tjerë. Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke u marrë me rastin”.
Ekipet policore po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë përplasje, ndërsa ende nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi gjendjen shëndetësore të personave të transportuar për trajtim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






