

Prishtinë – Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 136 kilogramë kanabis ditën e premte në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë daljes Doganaj-Kaçanik, duke vënë në pranga 3 persona të dyshuar. Sipas të dhënave hetimore, të arrestuarit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut synonin transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike me origjinë nga Shqipëria, duke e kaluar transit përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut drejt Turqisë.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve të mëtejshme, efektivët kanë sekuestruar 3 automjete, 1 motoçikletë dhe shumën prej 680 eurosh para të gatshme. Ndërhyrja u shoqërua me momente tensioni, pasi njëra prej makinave të përfshira tentoi t’i shmangej postbllokut policor duke shkaktuar përplasje në trafik, çka i detyroi punonjësit e policisë të përdornin armët e zjarrit për ta ndaluar mjetin.
Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bëri të ditur se një nga automjetet e bllokuara ngre dyshime serioze për implikimin e një zyrtari policor në këtë rrjet trafiku, duke konfirmuar angazhimin e menjëhershëm të Inspektoratit Policor të Kosovës:
“Gjatë operacionit, një nga automjetet e dyshuara, në përpjekje për t’i shpëtuar Policisë, shkaktoi aksidente trafiku, ndërsa oficerët e policisë u detyruan të përdorin armë zjarri për ta ndaluar atë. Një nga automjetet e përfshira në këtë rast ngre dyshime për përfshirjen e një oficeri policie në këtë aktivitet kriminal. Inspektorati i Policisë së Kosovës është i përkushtuar për të hetuar plotësisht dhe sqaruar rrethanat e rastit”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






