Transmetuar më 27-11-2026, 18:23

Tiranë – Qeveria ka miratuar ditën e premte një akt normativ që parashikon dëmshpërblimin financiar të qytetarëve dhe bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë protestave. Sipas vendimit të miratuar, shteti do të marrë përsipër të kompensojë drejtpërdrejt pronarët e prekur nga dëmtimet, ndërsa më pas do të nisë procedurat ligjore për të rikuperuar shumat e paguara nga personat përgjegjës, në mënyrë që barra financiare të mos mbetet përfundimisht mbi buxhetin e shtetit.

Akti normativ me titull “Për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve” ka 2 objektiva kryesore, garantimin e një kompensimi të shpejtë e efektiv për të dëmtuarit dhe sigurimin që fondet e disbursuara nga shteti t’u faturohen autorëve të shkatërrimeve. Sipas skemës së re ligjore, e drejta për dëmshpërblim do të përfitohet nga qytetarët dhe subjektet private edhe në ato raste kur autorët konkretë të dëmtimit të pronës nuk janë identifikuar ende.

Një rol qendror në fazën e rikuperimit të fondeve do t’i besohet Avokaturës së Shtetit, e cila do të ndjekë procedurat duke u kërkuar fillimisht personave përgjegjës kthimin vullnetar të shumës së paguar nga buxheti, ndërsa në rast mosbindjeje çështja do t’i kalojë gjykatës për ekzekutimin e detyrimit. Përgjegjësia financiare mund të shtrihet edhe tek organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve për dëmet e shkaktuara gjatë aktiviteteve të tyre, përveç rasteve kur ata arrijnë të provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi objektive ta parandalojnë atë.

Dokumenti parashikon gjithashtu një alternativë për shlyerjen e detyrimeve financiare përmes punës në interes publik, por vetëm me kushtin që personi përgjegjës të japë pëlqimin e tij të lirë. Nga ana e saj, qeveria thekson se kjo ndërhyrje nuk synon të kufizojë të drejtën e protestave paqësore, por të vendosë përgjegjësi të qartë ligjore dhe financiare për veprimet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit