

AGRINIO — Një vajzë 15-vjeçare në Agrinio të Greqisë ka kallëzuar nënën e saj për shfrytëzim seksual që prej moshës 11-vjeçare, duke e cilësuar atë si organizatoren kryesore të abuzimit. Gjatë dëshmisë para autoriteteve, e mitura ka deklaruar se edhe i ati kishte dijeni për abuzimin seksual të cilit ajo i ishte nënshtruar.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, adoleshentja ka arritur të identifikojë disa prej personave të përfshirë, të cilët sipas saj kryenin marrëdhënie seksuale me të kundrejt pagesës, ndërsa shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe kishte përjetuar edhe dhunë fizike të vazhdueshme nga prindërit.
Prokuroria e Agrinios ka ngritur një sërë akuzash të rënda ndaj të dyshuarve, të cilat përfshijnë trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të të miturës, përdhunimin e përsëritur, kryerjen e akteve seksuale me pagesë, bashkëpunimin në përdhunim, si dhe dhunën në familje.
Në kuadër të kësaj çështjeje, të dy prindërit përballen me akuza për shfrytëzim seksual dhe dhunë në familje, ndërkohë që nënës i rëndon edhe akuza për bashkëpunim të drejtpërdrejtë në përdhunim të përsëritur. Po ashtu, një tjetër shtetas akuzohet për shfrytëzim seksual, ndërsa persona të tjerë dyshohen për kryerjen e akteve seksuale me të miturën kundrejt pagesës, teksa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Rasti doli në dritë më 22 nëntor, pasi 15-vjeçarja vendosi t’i rrëfehej një banori të fshatit për ngjarjet që kishte kaluar, i cili e inkurajoi dhe e shoqëroi në polici për të depozituar kallëzimin.
Një ditë pas denoncimit, efektivët e policisë ushtruan kontroll në banesën e familjes, ku prindërit u prangosën fillimisht për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike, pasi gjatë kontrolleve në disa banesa u sekuestruan edhe sasi kanabisi.
Ndërkohë, ekspertiza mjeko-ligjore e kryer ndaj 15-vjeçares nuk ka konstatuar shenja përdhunimi, megjithatë ky konkluzion nuk i hedh poshtë deklarimet e saj lidhur me shfrytëzimin dhe abuzimin seksual.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






