

ROMË — Parlamenti italian ka votuar përfundimisht dekretin e ri mbi arsimin, i cili cakton një tavan prej 30% për nxënësit me origjinë të huaj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane në çdo klasë, duke ndaluar njëkohësisht mbajtjen e burkave brenda ambienteve shkollore.
Projektligji i propozuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni mori dritën jeshile në Dhomën e Ulët me 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime.
Paketa e re ligjore parashikon po ashtu detyrimin që prindërit e huaj të mësojnë gjuhën italiane, fonde dhe masa mbështetëse për nxënësit me aftësi të kufizuara, mekanizma kundër bullizmit kibernetik, si dhe nisma për frenimin e braktisjes së shkollës.
Një pikë tjetër e përfshirë në këtë reformë është përgjysmimi i çmimit të teksteve shkollore në versionin dixhital. Ky nen kishte nxitur më herët tensione mes aleatëve të koalicionit qeverisës gjatë shqyrtimit në Senat, ku “Forza Italia” u rreshtua kundër amendamentit, ndërsa forca politike e kryeministres Meloni, “Vëllezërit e Italisë”, e mbështeti atë.
Ministri i Arsimit në Itali, Giuseppe Valditara, mbrojti nismën duke u shprehur se rregullat e reja janë hartuar për t’u krijuar kushte më të mira nxënësve dhe për t’u ardhur në ndihmë familjeve.
“Me këtë masë, ne po ofrojmë zgjidhje konkrete për familjet italiane dhe po forcojmë të drejtën e çdo nxënësi për sukses arsimor”, deklaroi Valditara.
Ai vuri në dukje se dekreti siguron mjete shtesë për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, lehtësira financiare për blerjen e librave shkollorë, si dhe mbështetje buxhetore për figurën e mësuesve kujdestarë. Sipas tij, përfshirja e nxënësve të huaj kalon domosdoshmërisht përmes njohjes së gjuhës italiane dhe zbatimit të rregullave të përbashkëta.
Nga ana tjetër, miratimi i dekretit u prit me kritika të forta nga radhët e opozitës. Sekretarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, akuzoi ekzekutivin duke vlerësuar se sfidat e arsimit nuk tejkalohen me kufizime ndaj fëmijëve të huaj, por duke rritur investimet në godina dhe staf mësimdhënës.
“Shkollat nuk kanë nevojë për kapele të projektuara për t’i mbajtur fëmijët e huaj jashtë; ato kanë nevojë për çati që nuk shemben mbi kokat e nxënësve”, u shpreh Schlein.
Ajo kërkoi rritjen e financimeve për riparimin e objekteve arsimore, zgjerimin e trupës mësimore dhe përmirësimin e standardeve të mësimdhënies, duke shtuar se duhen më shumë klasa me orar të zgjatur, një raport më i balancuar mes numrit të nxënësve dhe mësuesve, si dhe shërbime më të aksesueshme psikologjike në shkolla.
Përplasja politike rreth këtij ligji zhvillohet në një periudhë kur gjendja fizike e shkollave në Itali po tërheq vëmendje të gjerë publike, pas protestave të fundit të nxënësve për amortizimin e godinave dhe mungesën e fondeve në sektorin e arsimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






