Transmetuar më 27-11-2026, 16:00

TIRANË — Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për dosjen e krimit të organizuar të njohur si “Revanshi”, ku gjykoheshin 12 të pandehur, mes tyre emra të njohur si Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi.

Me vendimin e datës 27 nëntor 2026, trupi gjykues ka caktuar në total 78 vite e 4 muaj burgim për të gjithë të akuzuarit, pas aplikimit të uljes së një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Më herët, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar dënimin e tyre me një total prej 93 vitesh burg.

Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi janë dënuar me nga 10 vite burgim secili. Të dy janë shpallur fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Fillimisht, gjykata caktoi nga 8 vite burg për këtë vepër, ndërsa në bashkim me dënimet për akuzat e tjera u dënuan me nga 15 vite burg, masë e cila pas zbritjes së një të tretës zbriti në 10 vite burgim.

Gjithashtu, Astrit Avdyli u shpall fajtor për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe municionit, ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, largim të të burgosurit nga vendi i qëndrimit dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Nga ana tjetër, Emiljano Shullazi u shpall fajtor edhe për organizimin e një grupi të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore, si dhe futjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Sa u përket të pandehurve të tjerë të dosjes, Gjergji Cukali u dënua me 8 vite burg, ndërsa Besian Xhixha, Enver Diva dhe Viktor Imeraj morën nga 6 vite e 8 muaj burgim secili. Blerim Abazi, Robert Laçi dhe Satilno Basho u dënuan me nga 6 vite burg, Naim Stafuka me 5 vite burg, Xhelal Rraja me 4 vite burg dhe Miri Bruli me 3 vite e 4 muaj burgim.

Dosja “Revanshi” përfshin disa episode të planifikimit të vrasjeve, ku shënjestra ishin emra të njohur të botës së krimit në vend, përfshirë planet për eliminimin e Durim dhe Valter Bamit, Preng Gjinit, Ervis Martinajt, Erigers Mihasit, Elvis Gacajt, Altin Gegës, Fatmir dhe Armando Hysenit, si dhe Arben Ndokës.

Krahas sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjeve, të akuzuarit u gjykuan edhe për organizim e pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, drejtim të veprimtarisë kriminale nga burgu, futje të sendeve të ndaluara në qeli dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Dënimet e caktuara nga GJKKO sipas rendit zbritës:

Astrit Avdyli – 10 vite burg

Emiljano Shullazi – 10 vite burg

Gjergji Cukali – 8 vite burg

Besian Xhixha – 6 vite e 8 muaj burg

Enver Diva – 6 vite e 8 muaj burg

Viktor Imeraj – 6 vite e 8 muaj burg

Blerim Abazi – 6 vite burg

Robert Laçi – 6 vite burg

Satilno Basho – 6 vite burg

Naim Stafuka – 5 vite burg

Xhelal Rraja – 4 vite burg

Miri Bruli – 3 vite e 4 muaj burg

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit