Transmetuar më 27-11-2026, 15:02

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar rëndësinë e protestave paqësore në një sistem demokratik, duke nënvizuar se qytetarët që kërkojnë standarde më të larta ekologjike, demokratike dhe të pavarësisë gjyqësore mund të kontribuojnë në përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe duhen konsideruar aleatë të këtij procesi.

Gjatë një interviste për “Euronews Albania” me gazetaren Mirela Milori, Kos u pyet lidhur me tubimet që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndikimin e tyre në rrugën evropiane të vendit.

Ajo sqaroi se Komisioni Evropian nuk pozicionohet në çështjet e brendshme politike të Shqipërisë, por vuri në dukje se protestat e zhvilluara në mënyrë paqësore në mbështetje të standardeve evropiane i shërbejnë ecurisë drejt integrimit.

“Për ne është e rëndësishme që njerëzit të cilët protestojnë në mënyrë paqësore dhe kërkojnë standarde të larta ekologjike ose standarde të larta të demokracisë ose standarde të larta të sistemit të pavarur gjyqësor, të mund të ndihmojnë për ta shtyrë Shqipërinë përpara në rrugën europiane, dhe mendoj se ata duhen trajtuar edhe si aleatë të rrugës drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Marta Kos.

Komisionerja evropiane shtoi se zëri i qytetarëve dhe shprehja e pakënaqësisë janë pjesë e natyrshme e jetës demokratike, duke bërë krahasimin me periudhën e regjimit të izoluar komunist në Shqipëri.

“Kur shoh protesta, kjo është edhe një shenjë se demokracia po funksionon vërtet, sepse, nëse kthehemi pas në kohët e shkuara, në kohët kur Shqipëria ishte një vend i izoluar komunist, nuk mund të protestoje. Pra, kjo shkon krah për krah, shprehja e vullnetit të popullit, shprehja e mospajtimit, kur njerëzit nuk janë dakord, është po ashtu pjesë e proceseve demokratike”, deklaroi Kos.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit