Transmetuar më 27-11-2026, 14:59

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ku në bankën e të akuzuarve janë Dritan Rexhepi dhe gjashtë të pandehur të tjerë.

Gjykata e Posaçme ka vendosur pranimin e këtyre akteve, të cilat konsistojnë në mesazhe të nxjerra nga aplikacioni “Sky ECC”, mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit.

Organi i akuzës bëri me dije në seancë se personat nën gjykim janë identifikuar nëpërmjet kodeve të përdorura, duke shkëmbyer mesazhe për një sasi narkotikësh dhe për rrëmbimin e Jan Prengës.

Sipas SPAK-ut, komunikimet e zhvilluara gjatë vitit 2020 lidhen me rrëmbimin dhe përfshijnë edhe mesazhe të drejtuara drejt vëllait të Prengës, i cili ndodhej në burg.

Prokuroria sqaroi se në biseda është diskutuar edhe opsioni për të rrëmbyer babanë e Ndrek Prengës, por në fund është kryer rrëmbimi i vëllait të tij, Jan Prengës.

Nga materialet e paraqitura rezulton se Gentian Funiqi ka komunikuar me synimin që dosja të largohej nga kompetenca e SPAK-ut dhe t’i kalonte një prokurorie të zakonshme. Sipas organit të akuzës, përmbajtja e bisedave dëshmon jo vetëm pjesëmarrjen e të akuzuarve në ngjarje, por edhe motivin e lidhur me zhdukjen e një ngarkese lënde narkotike.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Dritan Rexhepit ka kërkuar të vihen në dispozicion komunikimet e plota dhe konkrete të dala nga “Sky ECC”.

Gjatë parashtrimit, SPAK ka radhitur mesazhet dhe periudhat kur ato janë shkëmbyer. Mes datave 2 dhe 4 prill 2020, Altin Hajri komunikon me Gentian Funiqin për Festim Bexhdilin, duke shkruar: “Ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”. Sipas prokurorisë, të pandehurit diskutojnë gjithashtu për një ngarkesë droge në Ekuador.

Organi i akuzës ka sjellë në vëmendje edhe një mesazh të korrikut 2020: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAKu. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”, çka sipas SPAK-ut tregon udhëzime të dhëna mbi qëndrimin që duhej të mbante Festim Bexhdili.

Në vijim, Gentian Funiqi komunikon me Dritan Rexhepin dhe sjell në vëmendje Ndrek Prengën, duke kërkuar mbajtjen e tij nën vëzhgim.

Më 30 janar 2021, Dritan Rexhepi shprehet në komunikime: “paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”. Mesazhet për lëndën narkotike vazhdojnë edhe me një rast ku ngarkesa ishte lagur me ujë deti dhe kërkohej një zgjidhje.

Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar më 11 dhjetor, në orën 10:00, ku mbrojtja do të paraqesë analizën e saj për provat e dorëzuara nga SPAK. Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar që për zhvillimin e procesit të njoftohet edhe Korado Keshtenja, i cili mbahet i arrestuar në Londër.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit