Transmetuar më 27-11-2026, 14:40

Një çështje që po tërheq vëmendje të madhe në Gjermani ka vënë në qendër të vëmendjes portierin e Bayern Munich, Manuel Neuer, i cili është përfshirë në raportime për një lidhje të dyshuar jashtëmartesore, pas zhvillimeve rreth ndarjes nga bashkëshortja e tij, Anika Bissel.

Çështja mori përmasa pas njoftimeve për ndarjen e tyre, vetëm pak javë pas lindjes së fëmijës së dytë. Sipas burimeve të mediave gjermane, Neuer i kishte shprehur Anikës vendimin për t’i dhënë fund martesës pak ditë pasi erdhi në jetë foshnja, ndërsa ndarja thuhet se ka ndodhur në fillim të tetorit.

Dyshimet për një tradhti të mundshme janë nxitur nga raportimet mbi afrimitetin e portierit 40-vjeçar me një vajzë 23-vjeçare, e cila përshkruhet si fizioterapistja e tij.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, afërsia mes tyre mendohet se ka nisur muaj më parë dhe shkon përtej një marrëdhënieje thjesht profesionale. Madje, Neuer dhe 23-vjeçarja raportohet se kanë kaluar kohë bashkë edhe në Siçili, në fund të shtatorit, përpara se të shkonin në Brazil në mesin e nëntorit.

Gjatë qëndrimit në Brazil, ku portieri po kryente rikuperimin nga një dëmtim në këmbë, të dy janë vënë re shpesh së bashku, ndërsa mediat kanë raportuar se kanë ndarë të njëjtën suitë në një resort luksoz.

Mes këtyre zhvillimeve, ka bërë jehonë edhe një postim i ripublikuar nga Anika në Instagram, i cili dënon ashpër tradhtinë ndaj një gruaje shtatzënë, duke e përshkruar atë si një vendim egoist dhe mungesë respekti.

“Të tradhtosh një grua shtatzënë është një nivel krejt tjetër ligësie. Kjo nuk është një ‘gabim’. Është një zgjedhje. Një zgjedhje egoiste, e pashpirt dhe pa respekt. E neveritshme”, thuhet në mesazhin e ndarë prej saj.

Ndonëse Anika nuk ka emëruar drejtpërdrejt bashkëshortin, ripostimi është lexuar si një reagim i lidhur me situatën e çiftit.

Deri tani, Manuel Neuer nuk ka bërë asnjë deklaratë publike për këto akuza dhe nuk ka pasur një konfirmim zyrtar as për tradhti dhe as për natyrën e lidhjes me 23-vjeçaren, megjithatë përputhja kohore e raportuar dhe postimi i Anikës e kanë bërë ngjarjen temë të gjerë në mediat e huaja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit