

Fermat blegtorale në Shqipëri do të zbatojnë rregulla të reja dhe më të rrepta për rritjen dhe mirëqenien e viçave, të cilat do të nisin zbatimin më 1 gusht 2027.
Me anë të një urdhri të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tashmë të botuar në Fletoren Zyrtare, përditësohen standardet minimale të përcaktuara që nga viti 2014, duke vendosur kërkesa të qarta për blegtorët lidhur me sipërfaqen e strehimit, ndriçimin, higjienën, qasjen në ujë dhe mënyrën e mbajtjes së kafshëve.
Një ndryshim i rëndësishëm prek ndërtimin e bokseve individuale. Ato nuk do të lejohen të kenë mure të mbyllura të plota, por duhet të ndërtohen me ndarje të hapura që lejojnë kontakt të drejtpërdrejtë pamor dhe fizik mes viçave, duke bërë përjashtim vetëm në rastet kur kafshët e sëmura duhet të mbahen të izoluara.
Për sa i përket lirisë së lëvizjes, urdhri ndalon lidhjen e viçave. Përjashtim bëjnë vetëm viçat që rriten në grup, të cilët mund të lidhen përkohësisht, por jo më shumë se një orë, gjatë kohës kur ushqehen me qumësht ose zëvendësues të tij.
Sipas dispozitave të urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, mjetet e lidhjes duhet të kontrollohen rregullisht në mënyrë që të mos shkaktojnë lëndime, rrezik mbytjeje apo kufizime të tepërta për kafshët.
Një pikë tjetër e rëndësishme ka të bëjë me ndriçimin e ambienteve. Blegtorët nuk duhet t’i mbajnë viçat në errësirë të vazhdueshme, por duhet të garantojnë dritë natyrore ose artificiale. Kur përdoret ndriçimi artificial, ai duhet të qëndrojë ndezur të paktën aq sa zgjat drita natyrore, në intervalin nga ora 09:00 deri në orën 17:00, ndërsa hapësirat duhet të kenë ndriçim të mjaftueshëm për të bërë të mundur verifikimin e kafshëve në çdo kohë.
Për të ruajtur higjienën dhe shëndetin e tufës, akti parashikon pastrim dhe dezinfektim të vazhdueshëm të stallave, bokseve dhe pajisjeve, me qëllim shmangien e infeksioneve dhe shpërthimit të sëmundjeve.
Njëkohësisht, sigurohet ujë i freskët për të gjithë viçat mbi moshën dyjavore, ndërsa në ditët me temperatura të larta ose për kafshët që hasin probleme shëndetësore, uji i pijshëm duhet të ofrohet pa ndërprerje.
Urdhri sjell detyrime edhe për importin e viçave. Kafshët që futen në Shqipëri duhet të shoqërohen nga një certifikatë e lëshuar nga autoriteti përkatës i vendit të origjinës, e cila konfirmon se ato janë trajtuar në përputhje me standarde të paktën të barasvlershme me ato që aplikohen për kafshët me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






