Transmetuar më 27-11-2026, 13:06

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të jetë shumë pranë përmbylljes së negociatave të anëtarësimit në fund të vitit 2027, me kusht që të sjellë rezultate konkrete në reforma dhe të sigurojë miratimin e shteteve anëtare. Sipas vlerësimit të saj, traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028, ndërsa anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të ndodhë deri në vitin 2030.

“Siç mund ta vini re, zgjerimi po ndodh. Ky vit do të jetë viti më i suksesshëm i zgjerimit në 25 vjet. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë, tani po mbyllim me Malin e Zi dhe një nga vendet që ka kontribuar në këtë sukses është edhe Shqipëria”, u shpreh Kos.

Ajo sqaroi se ritmi i mbylljes së kapitujve varet drejtpërdrejt nga zbatimi i reformave dhe mbështetja politike e vendeve anëtare të unionit.

“Sa u përket udhërrëfyesve, ne kemi thënë që Shqipëria mund t’i përmbyllë kapitujt e negociatave nëse do të ketë rezultate në reforma dhe nëse shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë. Nëse ndodhin këto, vitin e ardhshëm, rreth kësaj kohe, do të jemi shumë pranë fundit të negociatave”, tha komisionerja evropiane.

Sipas saj, përparimi në kapituj do të hapë rrugën për hapat institucionalë të traktatit dhe ratifikimin e tij.

“Hapi i mëtejshëm do të jetë që, kur gjysma e kapitujve të mbyllen, shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, që mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Shqipëria mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030”, deklaroi Marta Kos.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit