Transmetuar më 27-11-2026, 13:05

TIRANË — Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, kryeministri Edi Rama u shpreh se viti 2027 shihet si viti i Shqipërisë në axhendën e integrimit evropian.

Kryeministri deklaroi se qeveria do të zbatojë çdo detyrim pikë për pikë, duke iu drejtuar me nota humori Komisioneres Kos si “zysha që kam në krah” dhe duke nënvizuar se ecuria e reformave diktohet nga e ardhmja e vendit.

Ai vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria nuk pret dhurata apo toleranca nga Brukseli, por synon të përmbushë standardet nëpërmjet punës dhe meritës.

“Ne kemi një qartësi të plotë për vitin 2027. Komisionerja thotë se 2027-a do të jetë viti i Shqipërisë për Komisionin Europian. Për ne, çdo vit është viti i Shqipërisë dhe nuk ka si të jetë viti i dikujt tjetër. Ajo që është e sigurt është se ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë për të përmbushur detyrat që kemi, sepse këtë na e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë. Na imponohet që t’i kryejmë këto detyra pikë për pikë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, angazhimet e lidhura me anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë të pandashme nga forcimi i brendshëm dhe cilësia e institucioneve.

“Detyrat që kemi në funksion të anëtarësimit në BE janë njëkohësisht në funksion të modernizimit të Shqipërisë, përmbylljes së shtetbërjes europiane dhe konsolidimit të institucioneve. Diferencën e bëjnë institucionet. Ato janë ato që na dallojnë ende nga vendet të cilave duam t’u ngjajmë sa më shumë. Ne nuk kërkojmë asnjë dhuratë, asnjë rrugë të shkurtër dhe as mbyllje sysh”, u shpreh ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama falënderoi Komisioneren Kos dhe ekipin e saj për mbështetjen gjatë kësaj vizite të fundit për vitin 2026, duke uruar një vit të ri të mbarë në shërbim të objektivit evropian.

“Kërkojmë vetëm të marrim përsipër detyrat tona dhe t’i përmbushim ato në maksimum. Marta, edhe një herë, meqë kjo është vizita jote e fundit për këtë vit, të falënderoj për gjithçka që ke bërë për ne, për Shqipërinë dhe për rajonin, së bashku me ekipin tënd. Uroj që viti i ri të jetë më i miri i të gjithë viteve për ty, sepse sa më i mirë të jetë për ty, aq më i mirë do të jetë edhe për ne, në funksion të objektivit të shqiptarëve, që është integrimi në BE”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit