

TIRANË — Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë ka shfuqizuar masën disiplinore të Kuvendit, duke e shpallur të paligjshëm përjashtimin 60-ditor nga veprimtaria parlamentare të deputetëve të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Në vendimin e shpallur sot, trupi gjykues ka rrëzuar vendimin nr. 15, të datës 12 tetor 2026, të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, përmes të cilit dy ligjvënësve të opozitës u ishte bllokuar pjesëmarrja si në seancat plenare, ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare për dy muaj.
Krahas shfuqizimit të aktit administrativ, gjykata ka vendosur edhe ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi, duke u rikthyer menjëherë dy deputetëve demokratë të drejtën për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit pa pritur përfundimin e afatit të masës disiplinore.
“1. Shfuqizimin e vendimit nr. 15, datë 12.10.2026 të Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën ‘Për përjashtimin 60 ditë nga pjesëmarrja në seancë plenare dhe komisione parlamentare për deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu’. Dhënien e vendimit me ekzekutim të menjëhershëm”, thuhet në dispozitivin e vendimit të Gjykatës Administrative.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






