Transmetuar më 27-11-2026, 12:15

TIRANË — Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka njoftuar se Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar hetimet lidhur me dhunën e ushtruar nga efektivët e policisë gjatë protestës, duke përfshirë në verifikim edhe rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Në një prononcim për gazetarët menjëherë pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Kapri e vlerësoi këtë hap të organit të akuzës si një sinjal pozitiv si për funksionimin e drejtësisë, ashtu edhe për vetë qytetarët protestues.

Ai sqaroi se në kallëzimin e dorëzuar më herët është kërkuar hetimi i kreut të Policisë së Shtetit, të cilin e bën përgjegjës për urdhrat e dhëna dhe veprimet e efektivëve në terren gjatë tubimit. Në mbyllje të fjalës së tij, deputeti ftoi qytetarët t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar për ditën e nesërme, që shënon protestën e tretë të këtij muaji.

“Lajm i mirë është që Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim për dhunën policore dhe për rolin e drejtorit të përgjithshëm në raport me dhunën barbare që është ushtruar në protestë. Ky është lajm dyfish i mirë pas vendimit të GJK ditën e djeshme ku u vendos pezullimi i aktit normativ. Fakti që SPAK nis hetim ndaj drejtuesit më të lartë të policisë ky është lajm i mirë për drejtësinë, por edhe për protestuesit. I bëj thirrje që nesër të dalin në protestë sepse ky është nëntori i tretë. Kemi kallëzuar drejtorin e policisë, i cili ushtron detyrën dhe jep urdhrat për sjelljen e punonjësve të policisë”, deklaroi Erald Kapri.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit