

Inteligjenca artificiale po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në industrinë globale të turizmit, duke transformuar mënyrën se si udhëtarët eksplorojnë destinacionet, krahasojnë ofertat dhe organizojnë pushimet e tyre. Sipas një raporti të kompanisë “Amadeus”, viti 2032 parashikohet të sjellë një kthesë të madhe në sektorin e udhëtimeve, ku inteligjenca artificiale do të ketë një rol qendror në strukturimin e përvojave turistike.
Statistikat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) tregojnë se 49% e udhëtarëve e kanë shfrytëzuar tashmë këtë teknologji për organizimin e itinerareve, ndërsa një studim i përbashkët i “TOURISE” dhe “Euromonitor International” vëren se 59% e përdorin atë për të marrë informacione dhe rekomandime.
Edhe platforma “Booking.com” konfirmon rritjen e ndjeshme të interesit. Sipas raportit “Global AI Sentiment Report 2025”, i bazuar në anketimin e 37 mijë konsumatorëve në 33 tregje, 89% e udhëtarëve shprehin dëshirën ta përfshijnë inteligjencën artificiale në planifikimet e tyre të ardhshme. Megjithatë, vetëm 12% e të anketuarve deklarojnë se do të ndiheshin të sigurt nëse teknologjia do të merrte vendime të plota dhe të pavarura në emër të tyre, çka tregon se kontrolli njerëzor dhe besimi mbeten vendimtarë.
Njohësit e tregut vlerësojnë se inteligjenca artificiale do të funksionojë si një udhërrëfyes digjital në çdo etapë të lëvizjes, duke nisur nga ideimi dhe rezervimet e deri te sugjerimet konkrete pasi turisti mbërrin në destinacion. Për të fituar besimin e plotë të udhëtarëve, saktësia e të dhënave, mbrojtja e privatësisë dhe siguria kibernetike do të jenë faktorët kyç.
E ardhmja e sektorit turistik po orientohet dukshëm drejt digjitalizimit, por inteligjenca artificiale nuk pritet ta zëvendësojë elementin njerëzor, me sfidën kryesore që mbetet gjetja e balancës mes efikasitetit teknologjik, kontrollit personal dhe përvojës autentike të udhëtimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






