

SHKODËR — Një sasi lënde plasëse, e dyshuar si tritol, është zbuluar mbrëmjen e djeshme në portën e jashtme të një banese në lagjen “Mark Lula” të qytetit të Shkodrës, pa arritur të shpërthejë.
Sipas të dhënave paraprake, shënjestër e këtij akti dyshohet të ketë qenë shtetasi Emiljan Gjonaj, i cili ushtron aktivitetin e tij në sektorin e ndërtimit. Menjëherë pas konstatimit të pakos së dyshimtë të pashpërthyer, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë që rrethuan zonën për të garantuar sigurinë e banorëve.
Më pas, ekspertët e njësisë xheniere kryen ndërhyrjen teknike për çaktivizimin dhe largimin e lëndës plasëse, duke shmangur çdo rrezik për kalimtarët dhe banesat përreth.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Emiljan Gjonaj po zhvillon aktualisht punime për ndërtimin e një pallati po në lagjen “Mark Lula”. Për këtë arsye, pista kryesore ku po përqendrohen hetimet lidhet me një kërcënim të mundshëm për shkak të aktivitetit të tij në fushën e ndërtimit, ndonëse deri në këtë fazë nuk ka ende një konfirmim zyrtar mbi motivet.
Mosshpërthimi i lëndës plasëse ka parandaluar dëme materiale apo pasoja në njerëz, ndërsa policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






