Transmetuar më 27-11-2026, 11:16

FIER — Strukturat e Policisë së Fierit kanë përmbyllur tri faza të operacionit të koduar “Siguria”, duke vënë në pranga katër persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër, pas kontrolleve për goditjen e armëmbajtjes pa leje, lëndëve narkotike dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.

Gjatë ndërhyrjeve në Fier dhe Lushnjë u sekuestruan katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe sende të tjera të ndaluara, ndërsa hetimet paraprake ngrenë dyshime se armët e gjetura në Lushnjë mund të jenë përdorur në një ngjarje kriminale të mëparshme.

Në fazën e parë të operacionit, në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 42 vjeç, i cili drejtonte automjetin nën efektin e alkoolit dhe gjatë kontrollit iu gjetën kokainë dhe dy maska silikoni, të dyshuara për t’u shfrytëzuar në akte kriminale.

Në fazën pasuese, po në Fier, u ndaluan dy shtetas, babë e bir, përkatësisht 60 dhe 25 vjeç, me inicialet Z. T. dhe E. T. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, fishekë luftarakë dhe një dorezë metalike.

Ndërkohë, në Lushnjë, pas hetimeve disajavore, u arrestua shtetasi M. B. dhe u shpall në kërkim djali i tij 32-vjeçar, L. B. Nga kontrolli në banesën e tyre u sekuestruan dy kallashnikovë, një armë gjahu dhe municion luftarak, armë për të cilat dyshohet se janë përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Të gjitha armët e sekuestruara në të dyja zonat do t’i dërgohen Institutit të Policisë Shkencore për ekspertizë balistike, për të përcaktuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera të paligjshme.

Shërbimet policore po vijojnë kërkimet për kapjen e 32-vjeçarit L. B., ndërsa aktet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme hetimore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit