

TIRANË — Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po hyjnë në vitin përmbyllës të periudhës katërvjeçare të zbatimit të Planit të Rritjes, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, bëri të ditur se tre shtete të rajonit kanë arritur progres të konsiderueshëm në përmbushjen e reformave të kërkuara.
Gjatë fjalës së saj në samitin e Tiranës, Kos prezantoi bilancin konkret të realizimit të objektivave, duke veçuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy shtetet me ritmin më të lartë të zbatimit, të cilat tashmë po përkthejnë punën e bërë në përfitime të drejtpërdrejta financiare.
“Tre shtete kanë bërë përparim të mirë për reformat. Këto rezultate të ndryshme janë pasqyruar dhe në njoftime që ka bërë presidentja Von der Leyen. Mali i Zi ka vënë në zbatim 84% të reformave, ndërsa Shqipëria ka vënë në zbatim 80% të reformave dhe do të marrë 185.6 milionë euro në pagesën e katërt”, deklaroi komisionerja evropiane.
Ajo nënvizoi se arkitektura e Planit të Rritjes funksionon mbi parimin e meritës dhe rezultateve të matshme, ku çdo hap i hedhur në drejtim të reformave zhbllokon fonde konkrete për ekonomitë dhe qytetarët e rajonit.
“Ju e keni merituar me anën e përpjekjeve të reformave që keni bërë”, u shpreh Kos duke vlerësuar angazhimin e autoriteteve shqiptare.
Paralelisht, zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian ndali vëmendjen edhe te dinamikat në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar ritëm më të shpejtë vendimmarrjeje në Prishtinë dhe Sarajevë.
“Në Kosovë, qeveria është një mundësi për të pasur një fokus të ri drejt BE-së dhe duhet të flasim se si mund të çojmë më tej këtë proces. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina duhet ende të ratifikojë marrëveshjet e duhura”, tha Marta Kos.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






