

HAGË — Sot skadon afati ligjor brenda të cilit ekipet mbrojtëse të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — duhet të njoftojnë zyrtarisht Dhomat e Specializuara në Hagë nëse do të ankimojnë aktgjykimin e shkallës së parë. Avokatët kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin e shpallur më 16 shtator, të cilin e cilësojnë të padrejtë.
Sipas vendimit të shkallës së parë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite heqje lirie. Rregullorja e Procedurës dhe Provave parashikon një afat 30-ditor nga shpallja e vendimit për paraqitjen e njoftimit të apelit, ku palët duhet të përcaktojnë shkaqet e kundërshtimit.
Pas depozitimit të këtij njoftimi, kryetari i panelit tre-anëtarësh të Apelit mund të caktojë një gjykatës raportues për përgatitjen e dosjes. Brenda 21 ditëve pas njoftimit zhvillohet një konferencë paraprake mbi çështjet procedurale, ndërsa më pas palët kanë 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit me argumentet dhe bazat ligjore. Nëse ankimimi kufizohet vetëm te masa e dënimit, ky afat shkurtohet në 30 ditë.
Pasi shkëmbehen përgjigjet dhe kundërpërgjigjet brenda afateve të përcaktuara, trupi gjykues i Apelit vlerëson nëse do të pranojë prova të reja dhe nëse është e nevojshme mbajtja e një seance dëgjimore. Në përfundim të procesit, Gjykata e Apelit ka kompetencën ta lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ta ndryshojë, ta rrëzojë atë, ose ta kthejë çështjen për rigjykim. Rregullorja garanton gjithashtu parimin e mosrëndimit të pozitës: kur apeli bëhet vetëm nga të dënuarit, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë se ai i dhënë në shkallën e parë.
Sipas rregullores, vendimi i shkallës së dytë duhet të shpallet brenda 60 ditëve nga parashtrimi i fundit i palëve, me mundësi shtyrjeje edhe për një muaj tjetër nëse gjykata paraqet arsye të justifikuara.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton tri baza konkrete për apelim: zbatimin e gabuar të ligjit që ka ndikuar në vendim, gabimet në vlerësimin e fakteve që kanë çuar në dështim të drejtësisë, si dhe gabimet në përcaktimin e masës së dënimit. Në rast pakënaqësie edhe me vendimin e Apelit, palët kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykatën Supreme dhe më pas në Gjykatën Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ndryshe nga shkalla e parë, procedurat nuk kanë një afat kohor të paracaktuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






