

Samiti Growth Plan – Tryeza e përbashkët e diskutimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, mbi planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian
Tiranë – Tirana është kthyer këtë të premte në qendër të diplomacisë rajonale, teksa në Pallatin e Brigadave zhvillohet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), një nismë e Bashkimit Europian për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e rajonit me tregun europian.
Në këtë takim marrin pjesë Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka udhëtuar drejt Tiranës për të përfaqësuar vendin e tij.
Samiti zhvillohet nën moton “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku” dhe synon të përshpejtojë bashkëpunimin ekonomik e politik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Çfarë pritet të diskutohet në samit?
Në qendër të takimit do të jenë zbatimi i reformave, përmirësimi i klimës së investimeve, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi gradual i ekonomive të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.
Diskutimet do të përqendrohen gjithashtu te ecuria e Planit të Rritjes dhe hapat që duhet të ndërmarrin vendet e rajonit për të përfituar nga mekanizmat e mbështetjes financiare dhe ekonomike të Bashkimit Europian.
Plani i Rritjes synon t’u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfitojnë më herët nga disa avantazhe të integrimit europian, përmes reformave, investimeve dhe përafrimit të ekonomive të tyre me rregullat e tregut të përbashkët.
Rama mirëpret samitin, zbardhet axhenda
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur organizimin e samitit përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar ditën si një tjetër mundësi mikpritjeje për Shqipërinë.
“Mblidhemi këtu për Planin e Rritjes, në takimin që vlen për të vlerësuar progresin dhe për të parë zgjidhjet përpara. Ky është një moment mjaft vendimtarë për Ballkanin Perëndimor dhe për secilin prej vendeve të ulur në tryezë dhe po ashtu edhe për vetë Europën.
Ne kemi qenë absolutisht entuziastë për nisjen e këtij procesi dhe në një farë mënyrë vuri në lëvizje qasjen e re të integrimit gradual dhe që na mbledh bashkë në 3 dimensione: reformat, konvergjencë ekonomike dhe kohezion rajonal”, tha Rama.
Sipas agjendës së publikuar, mbërritja e delegacioneve është parashikuar në orën 10:00, ndërsa në orën 10:30 nisën sipas programit fjalët hapëse të kryeministrit Rama dhe komisioneres Marta Kos.
Pas diskutimeve mes delegacioneve është parashikuar fotografia zyrtare e përbashkët e liderëve, në orën 12:15.
Samiti pritet të përmbyllet në orën 12:30, me një konferencë të përbashkët për shtyp të Edi Ramës dhe Marta Kos, ku do të prezantohen mesazhet kryesore të takimit.
Takimi zhvillohet në një periudhë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë lidhjet ekonomike me Bashkimin Europian, me synimin për të avancuar procesin e integrimit europian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






