

LEZHË — Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Storm”, duke vënë në pranga dy shtetas të kapur në flagrancë teksa transportonin 40.3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa drejt qytetit të Laçit, me qëllim shitjen.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë ndërhyrjes në rrugën e fshatit Selitë, shërbimet policore ndaluan për kontroll automjetin tip “Mitsubishi” që drejtohej nga shtetasi H. M., me pasagjer shtetasin H. K. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u gjetën katër thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 40.3 kilogramë.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se të arrestuarit e kishin siguruar sasinë e drogës në fshatin Mafsheq të Malësisë së Krujës dhe po e transportonin në Laç për ta shitur.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në Malbardhë të Kurbinit, dhe shtetasi H. K., 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë, të akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një peshore manuale, një aparat celular dhe automjeti tip “Mitsubishi”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






