

TIRANË — Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar këtë të premte drejt Tiranës për të marrë pjesë në Samitin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Punimet e samitit zhvillohen në Pallatin e Brigadave nën moton “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Evropës së bashku”, me pjesëmarrjen edhe të komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Pjesëmarrja e Kurtit u konfirmua zyrtarisht nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një njoftimi për mediat.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve në kuadër të Planit të Rritjes”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim rajonal pritet të jenë të pranishëm përfaqësuesit e gjashtë vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se në qendër të diskutimeve të liderëve në Tiranë do të jenë reformat, rritja ekonomike dhe integrimi evropian i rajonit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






