

Duke nisur nga 1 janari 2027, TVSH do të rritet nga 20 në 21 për qind për totalin e faturës së energjisë elektrike për të gjithë familjarët dhe bizneset.
Kështu nëse vlera e faturës mujore është 10 mijë lekë, rritja mujore është 100 lekë. Pra, fatura që sot është 12,000 lekë me TVSH, do të bëhet 12,100 lekë me TVSH 21%.
Kjo rritje vjen ndërsa opozita kërkoi që të ulet në 6 për qind TVSH. Nëse do të ndodhte kjo, një familje që ngarkohet me 10 mijë lekë bruto sidomos në muajt e pikët dimëror dhe të nxehtit, do të paguante 1,400 lekë më pak në muaj krahasuar me TVSH 20% që është tani dhe 1.500 lekë me TVSH-në e rritur nga 2027. Fatura mujore do të ishte 10,600 lekë gjithsej.
Deputeti opozitar Erald Kapri ka kërkuar uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për energjinë elektrike, duke argumentuar se kjo masë do të sillte një lehtësim të drejtpërdrejtë financiar për familjet shqiptare.
Gjatë diskutimeve në Kuvend për paketën fiskale të vitit 2027, Kapri kundërshtoi rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, duke paralajmëruar se ndryshimi mund të ndikojë edhe në faturat e energjisë elektrike.
Sipas deputetit, ndryshe nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore, ku përfitimi i konsumatorëve varet edhe nga çmimet që vendosin tregtarët, një reduktim i tatimit mbi energjinë do të reflektohej më drejtpërdrejt në faturat e familjeve.
“Nuk ka garanci që ulja e TVSH-së për ushqimet do të ulë çmimin, por ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të garantonte një kursim për familjet”, deklaroi Kapri.
Ai solli si shembull një familje me konsum mujor prej 300 kilovatorësh, duke pretenduar se ajo mund të kursente rreth 300 lekë në muaj nëse do të zbatohej ulja e propozuar.
“Nëse një familje konsumon 300 kilovatë, do të kursente 300 lekë në muaj. Ju keni vendosur ta rrisni TVSH-në në 21%, do të thotë se edhe çmimi i energjisë do të rritet”, u shpreh deputeti.
Debati u zhvillua gjatë shqyrtimit të ndryshimeve fiskale, të cilat parashikojnë uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte ushqimore dhe të nevojave bazë, ndërsa norma standarde për mallrat dhe shërbimet e tjera rritet nga 20% në 21%.
Propozimi i opozitës synonte që energjia elektrike të trajtohet me një normë më të favorshme tatimore, me qëllim uljen e shpenzimeve mujore të familjeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






