Transmetuar më 27-11-2026, 09:14

BEOGRAD — Radomir Saičić, profesor i kimisë organike në Universitetin e Beogradit dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), është shndërruar në një prej figurave kryesore të skenës së re politike në Serbi, pasi emri i tij është propozuar si kandidati i mundshëm i Listës Studentore për zgjedhjet presidenciale të 27 dhjetorit.

64-vjeçari nuk vjen nga politika tradicionale, por nga kërkimi shkencor në kiminë mjekësore, me fokus sintezën e substancave kundër kancerit dhe terapive antivirale, duke bashkëpunuar edhe me Institutin Pasteur në projekte kërkimore kundër COVID-19.

Përfshirja e tij në politikë nisi me mbështetjen e lëvizjes studentore pas tragjedisë së 1 nëntorit 2024 në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e tendës së betonit shkaktoi 16 viktima. Protestat kundër korrupsionit dhe qeverisjes së Aleksandër Vuçiçit e gjetën Saičić-in në krah të studentëve, duke nënshkruar bashkë me 24 akademikë të tjerë një peticion për dorëheqjen e Vuçiçit. Në maj 2026, ai braktisi një ekspozitë në galerinë e SANU-së në shenjë proteste ndaj pranisë së ministrit të Kulturës, Nikola Selakoviç.

Gjatë fushatës parlamentare, Saičić ishte një nga zërat kryesorë të Listës Studentore dhe shpalli fitoren e saj në zgjedhjet e 25 tetorit, duke kërkuar shtet ligjor, transparencë të kontratave publike, punësim mbi bazë merite dhe fundin e qeverisjes së korruptuar.

Ndonëse kundërshtar i Vuçiçit në politikën e brendshme, qëndrimet e akademikut për Kosovën nuk shënojnë asnjë shkëputje nga linja tradicionale e Beogradit, duke reflektuar një qasje të ashpër nacionaliste dhe kundërshtim të plotë të pavarësisë së saj.

“Sipas Kushtetutës, Kosova është pjesë e patjetërsueshme e territorit tonë. Ky është një fakt dhe do të mbetet i tillë. Për mua, është një territor i pushtuar përkohësisht”, deklaroi Saičić në një intervistë për televizionin publik serb RTS.

Ai kundërshton marrëveshjet e Uashingtonit, Brukselit dhe atë franko-gjermane, duke përmendur si problematike çështjet e dinarit, targave, dokumenteve dhe tërheqjes së institucioneve serbe, ndërsa kërkon një përballje të fortë diplomatike për të mbrojtur pretendimet e Beogradit.

“Për sa kohë që nuk vendoset ndryshe, gjë që sinqerisht shpresoj të mos ndodhë kurrë”, u shpreh ai lidhur me statusin e Kosovës.

Sa i përket politikës së jashtme, Saičić mbështet ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Moskën për shkak të raporteve historike dhe varësisë energjetike, duke e cilësuar Rusinë si mbrojtësen kryesore të integritetit territorial serb, ndërsa të ardhmen e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë e sheh të pandashme nga ajo e popullit serb.

“Situata aktuale politike është e tillë që Rusia, për shembull, mbron integritetin territorial dhe tërësinë e Serbisë më shumë sesa vetë qeveria jonë”, tha Saičić.

Kandidatura e tij nxjerr në pah se rotacioni politik i promovuar nga Lista Studentore synon ndryshimin e modelit të qeverisjes së brendshme të ndërtuar nga Vuçiç, por ruan të pandryshuar kursin tradicional nacionalist të Serbisë karshi Kosovës, Rusisë dhe rajonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit