

Tregtimi i lëndëve narkotike pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë mbetet një shqetësim për autoritetet.
Nuk bëhet fjalë vetëm për kanabisin, pasi një tjetër operacion policor ka zbuluar një sasi të konsiderueshme kokaine, e cila dyshohet se ishte destinuar për shitje në zonat ku qëndrojnë nxënës dhe të rinj.
Policia e Tiranës pohoi sot se në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, ka arrestuar një 34-vjeçar dhe sekuestruar më shumë se 900 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Në pranga ka përfunduar shtetasi D. V., 34 vjeç, i cili lëvizte me automjet, duke transportuar lëndën narkotike për ta shitur në afërsi të shkollave dhe ambienteve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të automjetit tip “Toyota Yaris”, që drejtohej nga 34-vjeçari në bulevardin “Nënë Tereza”, efektivët gjetën një pako me 505.6 gramë lëndë narkotike të llojit kokainë.
Kontrollet vijuan në banesën e të dyshuarit, ku u zbuluan edhe 397 gramë të së njëjtës lëndë.
Në total, Policia sekuestroi 902.6 gramë lëndë të dyshuar kokainë, automjetin dhe një telefon celular.
Kokaina shitet pranë shkollave
Sipas hetimeve paraprake, droga ishte siguruar me qëllim shpërndarjen në afërsi të institucioneve arsimore dhe ambienteve ku grumbullohen të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Kjo pistë ka ngritur shqetësime për rrezikun e përhapjes së drogave të forta në mjediset e frekuentuara nga të miturit dhe të rinjtë.
Operacioni “Shkolla të Pastra” është pjesë e masave policore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të narkotikëve në afërsi të institucioneve arsimore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






