

TIRANË — Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar me tone të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit”, në të njëjtën ditë kur gjykata dha vendimin e dënimit me 7 vite burg, të konvertuar në shërbim prove, për nënën e saj.
Duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj saj dhe familjarëve të saj si të padrejtë, Kryemadhi deklaroi se pasojat e kësaj çështjeje i kanë shkatërruar jetën personale, familjare dhe karrierën politike.
Gjatë bisedës me gazetarin Ylli Rakipi, ajo u shpreh se i është marrë banesa, është larguar nga jeta politike dhe nuk po e punëson askush, ndërsa shtoi me ironi se nuk shqetësohet as për mundësinë e dërgimit në burgun e Pogradecit.
“Po më plasi trapi po më dënuan! Shtëpinë ma kanë marrë. Mua ma kanë marrë shtëpinë. Ia kthyen shtëpinë vetëm mamit tim. Nga politika më kanë hequr. Në punë nuk më merr njeri. Familjen ma kanë shkatërruar me dezinformime. Çfarë do të më bëjnë mua më shumë? Do më çojnë te burgu i Pogradecit, po punë e madhe, bukën e kam falas, çdo gjë falas, ajër i pastër është”, u shpreh Monika Kryemadhi.
E pyetur nga gazetari se ajo nuk ka vuajtur për kushte të tilla, Kryemadhi e mbylli deklaratën e saj duke paralajmëruar se të gjithëve do t’u vijë radha për t’u përballur me pasoja të ngjashme.
“Ama karma… Do t’ju vijë radha, një nga një, me radhë”, tha Kryemadhi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






