Transmetuar më 27-11-2026, 08:31

Debate në Kuvend për ndryshimet në taksimin e automjeteve, të cilat parashikojnë heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe rritjen e detyrimeve vjetore për pronarët e makinave.

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, kundërshtoi ndryshimet e përfshira në paketën fiskale për vitin 2027, duke propozuar heqjen e dispozitës që parashikon dyfishimin e komponentit fiks të taksës vjetore të automjeteve.

Gjatë fjalës së tij, Korreshi ironizoi pasojat që, sipas tij, do të kenë ndryshimet për qytetarët.

“Do të kalojmë nga Mercedesi, do të rikthehemi te gomari. Siç e provuam, erdhëm te traktorët, kaluam te parmenda, se premtuat naftën falas”, deklaroi deputeti demokrat.

Ai kritikoi gjithashtu gjendjen e transportit publik, duke marrë si shembull zonën e Lushnjës dhe duke pretenduar se ndryshimi i taksave nuk do të sillte uljen e premtuar të çmimeve të karburanteve.

“Njerëzve u rriten edhe taksat dhe ecin drejt Europës në këmbë. Nuk ulet nafta, është komplet bllof. Vërja Lenës dhe hiqja Prenës. Mjerë o popull, çfarë bëhet në emrin tënd”, u shpreh Korreshi.

“Do të kalojmë nga Mercedesi, do të rikthehemi te gomari. Siç e provuam, erdhëm te traktorët, kaluam te parmenda, se premtuat naftën falas. Në këto kushte, duke pasur edhe transportin urban shumë të zhvilluar, sidomos andej nga Lushnja që punon me mazut, njerëzve u rriten edhe taksat dhe ecin drejt Europës në këmbë. Nuk ulet nafta, është komplet bllof. Vërja Lenës dhe hiqja Prenës. Mjerë o popull, çfarë bëhet në emrin tënd”, deklaroi Korreshi.

Çfarë ndryshon për pronarët e automjeteve?

Paketa fiskale parashikon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër nga benzina dhe nafta, ndërsa komponenti fiks i taksës vjetore të automjeteve rritet ndjeshëm.

Për automjetet me cilindratë deri në 2 000 centimetra kub, ky komponent dyfishohet, duke kaluar nga 12,5 në 25 lekë për naftën dhe nga 10 në 20 lekë për benzinën.

Një automjet me naftë, motor 1 600 kubikë dhe 10 vite vjetërsi, që aktualisht paguan 4 800 lekë taksë vjetore, do të paguajë 9 600 lekë me skemën e re.

Ndryshimet prekin edhe automjetet e reja dhe ato elektrike. Nga 200 lekë që paguajnë aktualisht në vit, nga 2027 do të duhet të paguajnë 15 mijë lekë edhe pse karikohen me energji elektrike ku ka një sërë taksash dhe TVSH.

Amendamenti i Korreshit rrëzohet

Pavarësisht kundërshtimeve, propozimi i deputetit demokrat për të hequr dispozitën e rritjes së taksës vjetore nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare.

Amendamenti u rrëzua me 22 vota pro dhe 80 kundër.

Vendimi u mor gjatë shqyrtimit të paketës fiskale për vitin 2027, e cila sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e taksimit të karburanteve dhe automjeteve në Shqipëri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit