

Nga 1 janari 2027, mijëra biznese mund të përballen me detyrime të reja tatimore, pas uljes së pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se ndryshimi, i përcaktuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 822, datë 28 tetor 2026, do të zbatohet duke filluar nga viti i ardhshëm.
Sipas Tatimeve, të gjitha bizneset që gjatë vitit 2026 kanë realizuar qarkullim mbi 5 milionë lekë do të përfshihen automatikisht në skemën e TVSH-së, pa pasur nevojë të paraqesin kërkesë për regjistrim.
Administrata Tatimore sqaron se detyrimi zbatohet edhe nëse pragu tejkalohet me vetëm një lek. Pra, edhe një biznes me qarkullim vjetor prej 5 000 001 lekësh do të përfshihet në regjimin e ri.
Çfarë duhet të bëjnë bizneset deri në fund të vitit?
Bizneset që preken nga ndryshimi duhet të përgatisin inventarin e mallrave për rishitje që kanë në gjendje më 31 dhjetor 2026. Në dokumentacion duhet të pasqyrohen të dhënat identifikuese të mallrave, sasitë dhe vlerat e tyre.
Inventari duhet të dorëzohet sipas kërkesave dhe afateve që përcakton Administrata Tatimore.
Një tjetër element i rëndësishëm është kreditimi i TVSH-së për mallrat që ndodhen në inventar në fund të vitit.
Sipas njoftimit, kjo e drejtë do të lejohet vetëm për mallrat e blera gjatë 12 muajve të fundit, për të cilat është paguar TVSH dhe disponohen faturat ose dokumentet e nevojshme tatimore.
Për këtë arsye, Tatimet u kërkojnë bizneseve të kontrollojnë faturat e blerjeve dhe, nëse është e nevojshme, t’i shkarkojnë ato nga portali SelfCare.
Ndryshime edhe në faturim
Bizneset që aktualisht përdorin SelfCare për lëshimin e faturave dhe nuk kanë një program të certifikuar faturimi duhet të marrin masat për t’u pajisur me certifikatë elektronike dhe zgjidhjen përkatëse software-ike, sipas kërkesave ligjore.
Ndërsa subjektet që përdorin tashmë një program faturimi duhet të kontaktojnë ofruesin për përditësimet e nevojshme, në mënyrë që të mund të lëshojnë fatura me TVSH.
Këto përgatitje duhet të përfundojnë përpara nisjes së detyrimeve të reja.
Deklarimi i TVSH-së do të bëhet çdo muaj
Pas regjistrimit në skemë, bizneset do të duhet të deklarojnë dhe paguajnë TVSH-në çdo muaj, brenda afateve ligjore.
Ato duhet gjithashtu të përmbushin detyrimet për deklarimin dhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas rregullave në fuqi.
Tatimet sqarojnë se librat e shitjes dhe të blerjes do të gjenerohen dhe dorëzohen automatikisht në sistemin elektronik, mbi bazën e faturave të fiskalizuara.
Edhe deklarata mujore e TVSH-së do të paraplotësohet automatikisht, por tatimpaguesi do të duhet ta kontrollojë dhe ta deklarojë brenda afatit ligjor. Në rast nevoje, do të lejohet korrigjimi i të dhënave sipas legjislacionit.
Tatimet: Mos e lini përgatitjen për në momentin e fundit
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të verifikojnë që tani qarkullimin e realizuar gjatë vitit 2026, inventarin dhe dokumentacionin e blerjeve, si dhe të sigurojnë funksionimin e sistemeve të faturimit.
Regjistrimi automatik do të kryhet mbi bazën e të dhënave të qarkullimit të administruara nga Tatimet.
Subjektet do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare për përfundimin e regjistrimit dhe datën nga e cila duhet të zbatojnë detyrimet e TVSH-së.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






