Transmetuar më 27-11-2026, 08:24

Kuvendi ka rrëzuar propozimin e Partisë Demokratike për vendosjen e minimumit jetik në rreth 200 euro në muaj. Amendamenti i paraqitur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, mori 21 vota pro dhe 80 kundër gjatë shqyrtimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027.

Propozimi parashikonte përcaktimin me ligj të një minimumi jetik jo më të ulët se 20 mijë lekë në muaj, duke filluar nga prilli i vitit 2027.

Sipas amendamentit, kjo masë synonte të garantonte një nivel minimal të ardhurash për kategori të caktuara, përfshirë përfituesit e pensioneve të pleqërisë, pensioneve të invaliditetit, ndihmës ekonomike dhe disa pagesave të tjera sociale.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, Berisha argumentoi se rritja e çmimeve ka rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.

Ai ngriti shqetësimin për pensionistët që marrin pensione të pjesshme, familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike dhe qytetarët që përballojnë shpenzimet e përditshme me paga minimale.

Kreu i opozitës propozoi që financimi i kësaj mase të sigurohej përmes reduktimit me 300 milionë euro të shpenzimeve të parashikuara për administratën shtetërore.

Berisha kritikoi gjithashtu politikat fiskale të mazhorancës, duke e akuzuar atë se favorizon përfituesit e investimeve strategjike përmes lehtësive tatimore, ndërsa, sipas tij, rrit barrën mbi bizneset e vogla dhe qytetarët.

Ai këmbënguli se vendosja e minimumit jetik është e domosdoshme për të mbrojtur shtresat më të cenueshme nga rritja e kostos së jetesës.

Megjithatë, propozimi nuk mori mbështetjen e shumicës parlamentare dhe u rrëzua me 80 vota kundër.

Vendimi u mor gjatë seancës së 26 nëntorit, kur Kuvendi shqyrtoi amendamentet e opozitës për buxhetin e vitit 2027. Në të njëjtën seancë u rrëzua edhe propozimi për dhënien e pagës së 13-të për mësuesit e arsimit parauniversitar.

Me rrëzimin e amendamentit të Berishës, vendosja e minimumit jetik prej 20 mijë lekësh në muaj nuk u përfshi në buxhetin e miratuar për vitin 2027.

E PLOTË/ Berisha: 960 milionë euro për administratën, pensionistët numërojnë kafshatat! 300 milionë euro nga luksi i qeverisë të shkojnë për minimumin jetik të shqiptarëve

"Sot çmimet në Shqipëri janë 3% më të larta se në mesataren e Bashkimit Evropian. Këto çmime në vitin 2005 kanë qenë 74% të çmimit mesatar në Bashkimin Evropian. Zbritën në 64% në vitin 2013 dhe sot janë 103%. Janë pra me një rritje që ju, që i mbushni xhepat me para duke vjedhur, ju s’i ndjeni këto fare. Kot flas kështu, se unë po flas për qytetarët, se për ju nuk do të flisja. Pra, ka një rritje çmimesh e cila të paktën 550 mijë pensionistë me pensione të pjesshme apo pensione invaliditeti etj., i bën të dridhen duke numëruar kafshatën. Sepse janë nën 200 euro. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë në ndihmë sociale të cilët marrin as gjysmën e asaj shume me të cilën mund të përballojnë ushqimet. Janë familje të tëra të rrogave minimale. Në rast se në vitin 2012 rritja ekonomike u shndërrua në mirëqenie për shqiptarët dhe në këtë aspekt Shqipëria sipas grupit të Bostonit renditej e katërta në botë, në vitin 2020… sigurisht ti e ke mendjen tek bixhozi, ti nuk ke si mendon për qytetarët.

Në vitin 2020 ky tregues u vidhis në pozicionin e 74-t dhe sot Shqipëria është e sigurt në vendet më të fundit në planet. Shikoni çfarë bëni, merrni pak këtu, ulni TVSH-në oligarkëve të investimeve strategjike dhe i këputni me TVSH bizneset e vogla, i këputni me rritje të TVSH-së të gjithë shqiptarët. Ky është stili i një bashkëpunëtori në një krim të rëndë me këtë që po bëni. Ndaj dhe vendosja e minimumit jetik është i domosdoshëm. Me të drejtë qytetarët mund të pyesin ‘ku do merren këto para?’.

Të dashur qytetarë, në vitin 2013 për një Shqipëri 2.9 milionë banorë, për administratën e një Shqipërie 2.9 milionë banorë shpenzoheshin 300 miliardë lekë. Shpenzoheshin pra vetëm 1/3 e asaj që shpenzohet sot si shpenzime operative për një Shqipëri me një administratë të një Shqipërie 2.3 milionë banorë.

Ju vidhni edhe në gjumë, natën, ditën, në shi, në diell, në çdo kohë, në çdo muaj, në çdo orë, edhe në gjumë.

Atëherë a nuk duhet t’i heqim këto 300 milionë euro nga 960 milionë euro që keni parashikuar për xhepat, për administratën tuaj, për një administratë e cila është për një vend me 500 mijë banorë më pak se ç’kishte në 2013-ën? Mendoj se duhet për një moment të shkëputeni nga cinizmi, të përpiqeni të kaloni në anën humane të ndërgjegjes njerëzore se kohë e kohë keni kohë që manifestoni anët më të errëta.

Përfundojmë ne, po ata që s’kanë me ngrënë çfarë do u thoshit atyre tani? Çfarë do u thuash 550 mijë pensionistëve që marrin të gjithë nën 200 euro pensionin? Çfarë do u thuash dhjetëra mijëra në ndihmë ekonomike, 50 mijë familjeve që marrin as 100 euro ndihmë ekonomike? Prandaj dhe miratimi i minimumit jetik do të ishte akti i vetëm që të tregojë se tek ju ka ngelur ndonjë nanogram i qenies njerëzore me ndërgjegje njerëzore. Përndryshe absolutisht dëshmoni se keni kaluar çdo kufi drejt barbarisë. Të dyja janë në thellësinë e qenies suaj."

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit