

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar propozimin e Partisë Demokratike për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Amendamenti, i paraqitur nga deputetja demokrate Ina Zhupa gjatë shqyrtimit të buxhetit të shtetit për vitin 2027, mori 22 vota pro dhe 80 vota kundër, duke mos arritur të miratohej.
Përmes këtij propozimi, opozita kërkonte që mësuesit e sistemit parauniversitar të përfitonin një pagë shtesë vjetore, përveç 12 pagave mujore.
Megjithatë, shumica parlamentare votoi kundër amendamentit, duke e lënë pagën e 13-të jashtë ndryshimeve të miratuara në buxhet.
Propozimi ishte pjesë e paketës së amendamenteve të Partisë Demokratike për buxhetin e vitit 2027, ku përfshiheshin edhe kërkesa të tjera për rritjen e pagave dhe mbështetjen financiare të kategorive të ndryshme.
Vendimi u mor gjatë seancës plenare maratonë të 26 nëntorit, ku Kuvendi shqyrtoi buxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale që e shoqëron.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






