

Tiranë – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e mesnatës buxhetin e shtetit për vitin 2027 së bashku me ligjet e Paketës Fiskale, një seancë e cila solli edhe ndryshime të minutës së fundit gjatë votimit në sallë. Gjatë shqyrtimit u rrëzua propozimi i Komisionit të Ekonomisë për të aplikuar tatimin mbi vlerën e shtuar me normë të reduktuar 6 për qind për ujin e ambalazhuar, ndërsa u miratua një amendament i deputetes së Partisë Socialiste, Briseida Çakëri, për të shtyrë deri në dhjetor 2029 përjashtimin nga tatim-fitimi për hotelet me 4 dhe 5 yje që mbajnë marka ndërkombëtare.
Paketa e re fiskale, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2027, sjell rishikime të thella në taksimin e sipërmarrjes, konsumit, sektorit të turizmit, pagave dhe automjeteve. Një prej ndërhyrjeve kryesore është ulja e pragut minimal të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke marrë si bazë qarkullimin e realizuar gjatë vitit 2026. Ky ndryshim zgjeron ndjeshëm bazën e bizneseve të vogla që përfshihen në këtë regjim, ndërsa për fermerët kufiri i regjistrimit në TVSH do të vijojë të mbetet 10 milionë lekë.
Në fushën e konsumit, norma standarde e TVSH-së rritet nga 20 në 21 për qind, kurse për një kategori të gjerë prej 54 produktesh të shportës ushqimore bazë, përfshirë edhe produkte higjienike të diskutuara gjatë shqyrtimit parlamentar, do të zbatohet norma e reduktuar prej 6 për qind. Nga kjo lehtësi mbetet jashtë uji i ambalazhuar, i cili do të tatohet me normën standarde prej 21 për qind. Paralelisht, për sipërmarrjen rritet tatimi mbi dividendin nga 8 në 15 për qind për fitimet e shpërndara pas 1 janarit 2027, çka do të thotë se për çdo 1 milion lekë dividend të tatueshëm, aksionerët do të paguajnë 150 mijë lekë tatim, nga 80 mijë lekë që paguajnë aktualisht.
Ndryshime të rëndësishme prekin edhe sektorin e turizmit dhe të ardhurat nga punësimi. Për shërbimet e akomodimit në hotele, TVSH-ja rritet nga 6 në 10 për qind, duke u balancuar nga zgjatja e afatit deri në vitin 2029 e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për strukturat akomoduese elitare që përmbushin kriteret ligjore. Sa i përket tatimit progresiv mbi pagat, kufiri mujor mbi të cilin nis aplikimi i normës tatimore prej 23 për qind zhvendoset nga 200 mijë në 300 mijë lekë, duke lehtësuar barrën për punonjësit me të ardhura të mesme, ndërkohë që për pjesën e pagave mbi 700 mijë lekë në muaj parashikohet një shkallë më e lartë tatimore.
Nga viti 2027 ndryshon rrënjësisht edhe modeli i taksimit të automjeteve dhe karburanteve, pasi taksa e qarkullimit që deri tani aplikohej mbi çdo litër benzinë dhe naftë të konsumuar hiqet nga karburantet dhe zhvendoset te taksat vjetore të automjeteve, të cilat rriten mesatarisht dyfish. Në të njëjtën kohë, ligji ruan akcizën e diferencuar për duhanin e prodhuar në Shqipëri në raport me importin dhe parashikon ndërhyrje të reja në procedurat tatimore lidhur me mbledhjen e detyrimeve, parapagimet, kufizimet e pagesave me para në dorë dhe çregjistrimin e bizneseve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






