Transmetuar më 27-11-2026, 07:48

Seanca plenare e së enjtes në Kuvend u mbyll pas afro 17 orësh sot në 03.30 dhe qeveria kaloi një sërë projektligjesh, aktesh normative dhe projektvendimesh me rëndësi për politikat fiskale, financat publike, funksionimin e institucioneve, tregjet financiare dhe gjendjen e vendit.

Në fokus të seancës ishte paketa fiskale dhe projektligji për Buxhetin e vitit 2027, si dhe nisma të tjera që lidhen me sigurinë detare, organizimin e tubimeve, arsimin, mbikëqyrjen financiare, tregjet e kriptoaseteve, donacionet e sponsorizimet, kontabilitetin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, i cili parashikon ndërhyrje në kuadrin ligjor që rregullon tatimin mbi të ardhurat, me synim përmirësimin dhe qartësimin e dispozitave që lidhen me përcaktimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore për kategoritë përkatëse të tatimpaguesve.

U miratua me 80 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, synon përditësimin e dispozitave që rregullojnë tatimin mbi vlerën e shtuar, duke përcaktuar ndryshime në trajtimin dhe zbatimin e këtij tatimi, si dhe në administrimin e procedurave përkatëse.

U miratua me 78 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon përmirësime në procedurat tatimore, në marrëdhëniet ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve, si dhe në mekanizmat e kontrollit, zbatimit dhe administrimit të detyrimeve tatimore.

U miratua me 80 vota pro, 23 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, ndryshimet synojnë rishikimin e disa dispozitave që lidhen me taksat kombëtare, duke përditësuar kuadrin ligjor për kategoritë përkatëse të taksave dhe administrimin e tyre.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, parashikon ndryshime në kuadrin ligjor për akcizat, duke synuar përmirësimin e rregullave për zbatimin, administrimin dhe kontrollin e produkteve që i nënshtrohen këtij detyrimi.

U miratua me 78 vota pro, 18 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, seanca shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.

Në tërësi, projektligji përcakton kuadrin financiar të shtetit për vitin 2027, duke parashikuar të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, financimin e shërbimeve publike, mbështetjen për sektorët prioritarë dhe fondet për investimet publike.

Deputeti Erion Braçe prezantoi raportin dhe ndryshimet e bëra nga Komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimin, ku u shpreh se projektbuxheti i vitit 2027 garanton një balancë pozitive dhe bazohet në programin e Qeverisë. Sipas tij ky buxhet është i mirëstrukturuar dhe vuri në dukje se trajektorja e borxhit publik mbetet në rënie, ndërsa ulen risqet që vijnë nga kontratat koncesionare apo partneritetit publik privat.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 22 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, u shqyrtua projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të memorandumit të mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”,

Ky projektligj synon pranimin e ndryshimeve të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për Kontrollin Shtetëror Portual. Përditësimet lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e standardeve për inspektimin e anijeve në porte, sigurinë detare dhe parandalimin e ndotjes nga anijet që nuk përmbushin kërkesat përkatëse.

Projektligji u miratua me 76 vota pro, 3 vota kundër dhe 1 abstenim.

Aktet Normative

Seanca plenare vijoi me shqyrtimin e 2 Akteve Normative, përkatësisht:

Akt normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet””.

Ky Akt normativ parashikon shtesa dhe ndryshime në kuadrin ligjor për organizimin dhe zhvillimin e tubimeve, duke rregulluar dispozita që lidhen me ushtrimin e kësaj të drejte dhe përgjegjësitë përkatëse.

U miratua me 79 vota pro, 21 vota kundër dhe 0 abstenim.

Ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo në fjalën e tij për këto Akte Normative, tha se Policia ka detyrimin të mbrojë çdo qytetar që proteston paqësisht kundër qeverisë, por shtoi se sulmet ndaj efektivëve, institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohen nga asnjë kauzë politike.

Ndërsa, PD kundërshtoi aktin normativ duke e cilësuar si antidemokratik dhe kërkoi njëkohësisht llogari për dhunën policore.

Akt normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.

Ky Akt normativ përcakton mekanizmin për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, si dhe mënyrën e trajtimit dhe rregullimit të pasojave të këtij dëmi.

U miratua me 80 vota pro, 20 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës””.

Në prezantimin e këtij projektligji, ministrja e Arsimit dhe Sportit Mirela Kumbaro u shpreh se ky projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, me vlerë të veçantë në cilësinë e arsimit dhe diplomacinë tonë, propozohet të rregullohet me një ligj të veçantë pasi përfaqëson një model krejtësisht të ri në arsimin tonë publik parauniversitar. Projektligji krijon bazën ligjore për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”, duke përcaktuar organizimin, funksionimin dhe administrimin e tij.

Ndërsa kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi, njëherësh edhe deputet i qarkut të Korçës, në fjalën e tij e cilësoi rihapjen e Liceut një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe një investim strategjik për modernizimin e vendit përmes arsimit. Më shumë se një shekull pas themelimit të tij, Liceu Francez synon të rikthehet me një model të ri arsimor, të orientuar drejt shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit.

Ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 1 votë kundër dhe 0 abstenim.

Projektligji “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”.

Ministri i Financave Petrit Malaj, theksoi se nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së konglomerateve financiare, pjesë e të cilave janë institucione krediti, shoqëri sigurimi dhe shoqëri komisionere. Ajo synon rritjen e koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse dhe identifikimin e administrimin e rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 77 vota pro, 1 votë kundër dhe 1 abstenim.

Projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahmaj, në fjalën e saj u shpreh se projektligji përcakton kuadrin rregullator për tregjet e kriptoaseteve, përfshirë kërkesat për emetimin, ofrimin dhe tregtimin e tyre, si dhe për subjektet që ofrojnë shërbime në këtë treg. Synimi është rritja e transparencës, mbrojtja e përdoruesve dhe krijimi i rregullave të qarta për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Ndërsa, deputetja Jorida Tabaku tha se ndërsa tregu i kriptomonedhave kërkon vëmendje dhe rregullim të plotë, qeveria nuk duhet të lërë pas dore kontrollin mbi sektorin e ndërtimit, i cili mbetet një nga pikat më vulnerabël ndaj pastrimit të parave në vend.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua me 80 vota pro, 0 vota kundër dhe 1 abstenim.

Më tej, seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në fjalën e tij u shpreh se projektligji përcakton rregullat dhe procedurat për dhënien, përfitimin dhe administrimin e donacioneve dhe sponsorizimeve, duke synuar rritjen e transparencës dhe qartësimin e përgjegjësive të subjekteve të përfshira. Ai bëri thirrje për mbështetjen e kësaj nisme përtej ndasive politike, duke theksuar se sporti është një e mirë e përbashkët, që meriton vëmendjen dhe angazhimin e të gjitha forcave politike.

Ndërsa, Deputetja dhe kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa kundërshtoi projektligjin duke theksuar se nuk kishte të evidentuara efektet financiare.

Ky projektligj u miratua me 81 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Sa i përket projektligjit “Për kontabilitetin në sektorin publik”, nisma synon përmirësimin e sistemit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik, standardizimin e praktikave kontabël dhe forcimin e transparencës e llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.

Projektligji u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Më tej, projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar”, parashikon një ndryshim në kuadrin ligjor që rregullon kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, me synim përmirësimin e dispozitave që lidhen me zbatimin dhe kontrollin e punimeve.

Ky projektligj u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimet

Së fundmi, seanca plenare miratoi projektvendimin “Për një shtesë në vendimin nr. 174/2026, “Për miratimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ngritur me vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit të Shqipërisë, për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë””.

Projektvendimi parashikon një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të ngritur për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, me qëllim vijimin e punës së këtij komisioni.

Ky projektvendim u miratua me 79 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim.

Projektvendimi “Për lirimin e Gentian Sala nga detyra e anëtarit dhe Kryetarit të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe ushtrimin e përkohshëm të detyrave dhe kompetencave të Kryetarit”, u miratua me 79 vota Pro, 0 Kundër, 1 abstenim.

Seanca plenare e Kuvendit mbajti një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Ylli Ziçishti, i cili u nda nga jeta ditën e sotme më 26 nëntor 2026.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 03:30.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit