

Tiranë – Presionet e larta nga mungesa e krahut të punës, pensionet e pamjaftueshme për të mbuluar koston e jetesës dhe struktura e një ekonomie që gjeneron kryesisht vende pune me aftësi të ulëta po i mbajnë të moshuarit shqiptarë aktivë në tregun e punës shumë më gjatë se bashkëmoshatarët e tyre në Europë dhe në rajon. Të dhënat e referuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria regjistron nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në tregun e punës për grupmoshën mbi 65 vjeç në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke kaluar pragun e 25 për qind, ose më shumë se trefishin e mesatares së Bashkimit Europian.
Sipas analizës së FMN-së, përfshirja e të moshuarve shqiptarë në punë është dukshëm më e lartë se në 5 vendet e tjera të rajonit dhe se mesatarja e vendeve anëtare të BE-së. Pas Shqipërisë, në nivelin më të afërt renditet Serbia me rreth 10 për qind pjesëmarrje të grupmoshës mbi 65 vjeç në tregun e punës, e ndjekur nga Mali i Zi me pak nën 8 për qind, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian pozicionohet rreth nivelit 7 për qind. Më poshtë mesatares europiane renditen Moldavia me rreth 6.5 deri në 7 për qind, Kosova me rreth 4 për qind, Maqedonia e Veriut me pak mbi 3 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me rreth 3 për qind.
Ndërsa në vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina rritja e përfshirjes së punëtorëve të moshuar shihet si një mundësi për të zgjeruar ofertën e punës për shkak të niveleve të ulëta aktuale, Shqipëria paraqet një profil krejt tjetër demografik në punësim. Paralelisht me shkallën e lartë të aktivitetit të të moshuarve, vendi përballet me sfida të mprehta në krahun tjetër të grupmoshave, pasi së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim, një tregues që kalon nivelin e 20 për qind dhe sjell humbje të konsiderueshme të kapitalit njerëzor duke dobësuar produktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se për të adresuar këto disbalanca strukturore dhe për të përafruar performancën e tregut të punës me kërkesat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, axhendat e reformave duhet të përqendrohen në lehtësimin e tranzicionit nga shkolla në punë dhe në rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor. Në këtë kuadër, Shqipërisë i rekomandohet të zgjerojë programet e praktikave profesionale, të forcojë bashkëpunimin mes sistemit arsimor dhe punëdhënësve dhe të sigurojë një orientim më të mirë në karrierë për të lehtësuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, përafrimi i ofertës me kërkesën për punë mbetet vendimtar për rritjen e produktivitetit dhe tejkalimin e mospërputhjes së aftësive. Kjo kërkon forcimin e arsimit dhe formimit profesional, modernizimin e kurrikulave me fokus të veçantë te fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, si dhe zgjerimin e programeve të rikualifikimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë edhe punëtorët në fazat e mesme dhe të vona të karrierës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






