Transmetuar më 27-11-2026, 07:32

Denizli – Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Denizlit, në Turqinë jugperëndimore, ku një biznesmen 49-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij, me duart e lidhura me litar dhe me shenja të shumta dhune në trup. Viktima është identifikuar si Feday Karagöz, sipërmarrës në sektorin e ndërtimit dhe pronar i një biznesi mermeri, i cili dyshohet se u vra pas një përplasjeje fizike me 2 burra që i kishte zënë në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.

Sipas të dhënave të zbardhura nga rrethanat e ngjarjes, Karagöz ishte kthyer më herët dhe pa paralajmërim nga një udhëtim pune dhe, sapo kishte hyrë në banesë, kishte gjetur gruan e tij, Asiye Karagöz, në praninë e 2 burrave të tjerë. Ky zbulim solli menjëherë një debat të ashpër mes tyre, i cili degjeneroi në një përleshje të dhunshme.

Krimi u regjistrua rreth orës 08:00 të mëngjesit në lagjen Alparslan, në zonën Merkezefendi të Denizlit. Pasi dëgjuan zhurma të forta dhe britma që vinin nga apartamenti, fqinjët njoftuan menjëherë policinë, ndërsa efektivët e mbërritur në vendngjarje u detyruan të thërrisnin një çelësbërës për të hapur derën, pasi askush nuk po u përgjigjej.

Brenda banesës, 49-vjeçari u gjet i shtrirë pa shenja jete, me duart e lidhura dhe me gjurmë të dukshme të një rrahjeje brutale, ndërsa ekipet mjekësore konfirmuan vdekjen e tij. Sipas dyshimeve paraprake të grupit hetimor, biznesmeni fillimisht është dhunuar rëndë nga 2 burrat dhe më pas është mbytur, ndonëse shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjekoligjore.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga bashkëshorten e viktimës dhe 2 burrat që ndodheshin në banesë në momentin e krimit. Situata u tensionua edhe më tej jashtë ambienteve të policisë, ku të afërmit e biznesmenit tentuan të sulmonin njërin prej të dyshuarve për të marrë hak, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë konkrete të secilit prej të arrestuarve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit