

Tiranë – Ditën e premte vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme, të cilat do të sjellin mot me vranësira të dendura dhe reshje shiu në të gjithë territorin. Sipas të dhënave meteorologjike, reshjet priten të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në zonën jugore ato do të bien me intensitet mesatar deri të lartë në formën e shtrëngatave të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Gjatë orëve të ditës, shirat me intensitet të ulët do të vijojnë të jenë të herëpashershëm në pjesën dërrmuese të territorit, kurse në jug parashikohen reshje me intensitet mesatar dhe hera-herës deri të lartë në formën e rrebesheve afatshkurtra. Në zonat malore të veri-verilindjes, në lartësinë mbi 1100 metra, priten reshje dëbore me intensitet të ulët, ndërsa era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi 7 metra në sekondë, duke arritur përgjatë vijës bregdetare deri në 15 metra në sekondë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






