Transmetuar më 27-11-2026, 00:46

Deputetja Elisa Spiropali, e cila u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka reaguar me tone të forta ndaj kallëzimeve të bëra ndaj saj dhe bashkëshortit në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në TV Klan, Spiropali tha sonte se nuk ka frikë nga hetimet dhe se është e bindur në pafajësinë e saj.

Ajo i cilësoi kallëzimet si përpjekje për ta intimiduar, ndërsa theksoi se nuk do të tërhiqet përballë sulmeve që, sipas saj, vijnë nga persona të dëshpëruar.

Ajo shtoi se nuk ka ngrënë “dardha dhe kumbulla” pas shpine, një shprehje që kryeministri Edi Rama e ka përdorur shpesh për persona nga radhët e PS, të cilët janë përfshirë në paligjshmëri.

Spiropali shprehu besimin e saj te Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke theksuar se mbështetjen për këtë institucion e ka treguar jo vetëm me deklarata publike, por edhe me veprime konkrete.

Pjesë nga biseda:

Elisa Spiropali: Ato janë çështje të kallëzimit, fjalë të kallëzimit dhe ka shumë… Blendi, po të them me përgjegjësinë më të plotë që jo një kallëzim të bëjnë të tillë, jo shpifje të tilla e marrëzira të tilla në një kallëzim, po 10 kallëzime, sa të duan le të bëjnë! Unë e kam të qartë dhe kush e ka bërë kallëzimin dhe nga vjen. Nuk është sekret, është sekret publik tashmë se kush i bën këto.

Blendi Fevziu: Kush i bën?

Elisa Spiropali: Është sekret publik, e di gjithë Shqipëria: njerëz të dëshpëruar, të cilët mendojnë se duke më sulmuar mua me kallëzime anonime në SPAK do më stepin.

Guximi im është dëshmi që unë as kam frikë nga kallëzimet dhe as kam gjë për të fshehur, dhe s’kam pasur kurrë Blendi. Unë s’kam ngrënë as dardha, as mollë, as kumbulla pas shpine. Unë kam besuar te kopshti i përbashkët. Unë nuk i kam ngrënë këto fruta fare. Prandaj jo një kallëzim, por sa të duan! Dhe ta lënë SPAK-un jashtë kësaj historie, sepse SPAK është një institucion… lëreni SPAK-un jashtë kësaj historie se kjo është një përpjekje për ta delegjitimuar SPAK-un.

Pra, edhe sulmet që bëhen ndaj SPAK-ut, edhe diskutimet për përdorim të SPAK-ut, delegjitimojnë një institucion, i cili është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë në këtë moment. Unë i kam besuar jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Kaq. Dhe ky diskutim nuk ka…

Mora shkak për t’u përgjigjur edhe nga një diskutim që bëhej nëpër studio, edhe në disa portale të paguara me paratë që u janë vjedhur shqiptarëve.

Blendi Fevziu: Kush i paguan?

Elisa Spiropali: Se nuk e dini ju që portalet mediatike të Shqipërisë përdoren ndonjëherë si armë për të goditur politikanët, ‘janë të korruptuar, janë hajdutë’…? E rëndësishme është kjo: ‘një restorant në mes të Tiranës’ – i thoshin dhe emrin, dhe këtu për etikë nuk dua ta përmend – ‘që është në pronësi të Spiropalit’.

E gjithë Tirana e di pronësinë e atij restoranti. Unë s’kam restorant as në qendër të Tiranës, as në Bllok, as në Bathore, as kërkund!

Le të gërmojnë sa të duan, se ato paçavure do gjejnë. Pra, po të them dhe njëherë që unë nuk e kisha nisur këtë rrugë, Blendi, se jam shumë e vetëdijshme se ç’ndodh kur i vihesh përballë kësaj historie dhe e mban kokën lart. E dija shumë mirë se ç’do pasonte: nga njerëzit që të ndjekin, te ata që të kallëzojnë. Po unë pikërisht se s’kam asgjë për të fshehur jam këtu. SPAK është aset kombëtar, ka bërë shumë për Shqipërinë dhe sigurisht që në këtë fazë është e rëndësishme që ta ruajmë nga sulmet dhe nga çdo lloj keqpërdorimi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit