

Kthesë në Kuvend për TVSH-në e ujit të pijshëm, socialistët tërhiqen nga ulja e taksës: Çfarë ndryshoi
Mazhoranca socialiste ka ndryshuar qëndrim për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për ujin e ambalazhuar, gjatë seancës së sotme parlamentare për kalimin në votim të paketës fiskale për vitin 2027.
Ndryshimi lidhet me propozimin për ta përfshirë ujin e ambalazhuar në kategorinë e produkteve bazë që do të përfitonin TVSH të reduktuar prej 6%, në vend të normës aktuale prej 20%.
Mësohet se uji i ambalazhuar është hequr nga neni që parashikonte uljen e TVSH-së. Çështja është shoqëruar me debate, pasi vetëm pak ditë më parë propozimi kishte marrë mbështetjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.
Komisioni e miratoi më 20 nëntor zgjerimin e listës së produkteve me TVSH të reduktuar, duke përfshirë ujin e ambalazhuar, produktet e higjienës menstruale dhe pelenat për fëmijët. Ndryshimet morën 10 vota pro, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të opozitës.
Një nga mbështetësit kryesorë të uljes së taksës për ujin e ambalazhuar ishte deputeti socialist Erion Braçe, i cili argumentoi se ky produkt përbën një nevojë të përditshme për shumë familje shqiptare dhe nuk duhet trajtuar si mall luksi.
Gjatë diskutimeve në komision, Braçe kundërshtoi krahasimin e ujit të ambalazhuar me ujin e rubinetit, duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e furnizimit me ujë të pijshëm në vend. Në fakt shumëkush e di që uji i çezmeve që vjen në banesa në pjesën më të madhe të vendit nuk pihet pasi ka erë të rëndë klori dhe papastërti që mund të shkaktojnë probleme shëndetësore.
Ndërkohë, Ministria e Financave kishte shprehur rezerva ndaj propozimit. Zëvendësministri Endrit Yzeiraj tha se synimi i qeverisë është përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm përmes rrjetit të ujësjellësit, nëpërmjet investimeve në infrastrukturë.
Pavarësisht kundërshtimeve të Ministrisë së Financave, propozimi kaloi në komision dhe iu paraqit Kuvendit për shqyrtim përfundimtar.
Çështja mori vëmendje të veçantë edhe për shkak të ndryshimeve të tjera të parashikuara në paketën fiskale 2027. Projekti parashikon uljen e TVSH-së në 6% për një grup produktesh ushqimore bazë, ndërsa norma standarde propozohet të rritet nga 20% në 21%.
Nëse heqja e ujit të ambalazhuar konfirmohet në tekstin përfundimtar të miratuar, ky produkt nuk do të përfitojë nga norma e reduktuar prej 6%, duke mbetur jashtë lehtësisë fiskale të propozuar fillimisht.
Vendimi përfundimtar ka rëndësi të drejtpërdrejtë për konsumatorët, pasi uji i ambalazhuar është pjesë e shpenzimeve të përditshme të shumë familjeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






