

Tiranë – Deputetja Elisa Spiropali ka vijuar me deklaratat e forta kritike mbi klimën politike dhe institucionale në vend, duke ngritur shqetësimin për atë që e cilësoi si intimidim sistematik të qytetarëve në vendin e punës, në aktivitetin e biznesit dhe në jetën e përditshme për shkak të bindjeve apo qëndrimeve politike. E ftuar në emisionin Opinion, ish-ministrja u shpreh se në Shqipëri ekziston rreziku real që dikujt t’i rrënohet ekzistenca përmes urdhrave arbitrare të drejtuesve administrativë, në momentin kur pushteti vendos ta konsiderojë si kundërshtar.
Më tej, ajo vuri gishtin mbi përdorimin e mekanizmave dhe institucioneve shtetërore për goditjen e sipërmarrjes dhe të individëve, duke theksuar se çështja i tejkalon përplasjet e zakonshme politike dhe prek drejtpërdrejt shtetin e së drejtës, funksionimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimi me pushtetin:
“Ka shumë njerëz të tjerë sot në Shqipëri që ndihen të intimiduar në punën e tyre, në biznesin e tyre, në jetën e tyre. Mund të të shkatërrohet jeta se i jep urdhër një drejtor i njërit apo i tjetrit. Dhe nuk mund të të rrënohet gjithë ekzistenca sepse vendos pushteti që ti nuk je me ta, por je armik. E shumë të tjerë. Kush janë këta njerëz o Blend? Kush janë këta që përcaktojnë kush do të rrijë në Republikën e Shqipërisë? Po të them edhe nga revolta. Po cilët janë këta njerëz? Si mundet që njerëz të përzihen nga Shqipëria me dhunë? Shikoni rastet e biznesit i cili është sulmuar këtu se ç’ndodh. Ka raste që janë sot në SPAK të sherreve jo vetëm banale, por dhe të rrezikshme të përdorimit të institucioneve dhe këtu kemi të bëjmë me drejtësinë e Shqipërisë”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






