

Tiranë – Deputetja Elisa Spiropali ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në shënjestër mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste dhe të qeverisjes së vendit. E ftuar në studion e emisionit Opinion, ajo deklaroi se një rreth i ngushtë ka uzurpuar drejtimin e partisë dhe të institucioneve shtetërore, duke kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë politike nga kreu i qeverisë dhe rivendosjen e një ndarjeje të qartë mes partisë, shtetit dhe ekzekutivit.
Ish-ministrja theksoi se pakënaqësia dhe zhgënjimi publik ndihen sot më së shumti pikërisht brenda radhëve të vetë socialistëve, veçanërisht tek ata që kanë besuar se po kontribuonin për ndërtimin e një shteti funksional. Ajo ngriti alarmin për nevojën e demokratizimit të brendshëm, reduktimit të kontrollit politik, reformimit të sistemit elektoral dhe ndryshimit të qasjes ndaj opozitës, e cila sipas saj duhet të trajtohet si partnere në tryezë për çështjet madhore të vendit dhe integrimin europian, e jo si armike.
Duke iu referuar etiketimit ironik si “Flamingoja e parë” gjatë mbledhjeve të brendshme të partisë, Spiropali pranoi me krenari këtë cilësim nëse ai lidhet me kërkesën për liri, demokraci dhe hapje të garës politike, teksa hodhi akuza të forta mbi modelin aktual të qeverisjes:
“Po flas dhe nëpër parti, po flas dhe për shtetin, po flas për administratën dhe kudo, sot frustrimi më i madh publik është te socialistët, për ata që kanë besuar që po kontribuojnë për një shtet, i cili grupi i vogël që ka uzurpuar tashmë drejtimin e vendit, Partisë Socialiste, qeverisjes, duhet bërë ndarja. Kryeministri është këtu i aftë për t’u ndarë nga ky model apo do shkojë në fund me këtë model? Ky model nuk të çon. Këtu s’është çështja e anëve të errëta apo anëve të ndritura. Këtu çështja është a do bëjnë ndonjë gjë të ndritur për brezat e rinj? Rama duhet të mbajë përgjegjësi politike. Unë i kam kërkuar edhe një tjetër publike kur filluan protestat te Unaza, që u konsiderua në asamble, tani po flas për anët e errëta se dua të shkoj te ajo mbledhje e asamblesë, që u konsiderua në atë mbledhje së bashku me qëndrimet e tjera si arsye e mjaftueshme që unë të shpallesha Flamingo e parë. Pra, jo vetëm unë kisha qenë në krye të Bashkisë, unë s’jam krim, unë e kam për nder. Në rast se të duash të shkosh në rrugën e demokratizimit të mëtejshëm dhe jo të autokracisë, është thjesht Flamingo, unë jam Flamingo.
Nëse të duash që të kesh më shumë liri dhe më pak kontroll, është thjesht Flamingo, Flamingo qofsha. Në qoftë se do një sistem tjetër elektoral, i cili nuk e mbyll garën politike në parlament e kudo, është thjesht Flamingo, po dakord, po e ngre qartë dhe po them që jam Flamingo. Nëse do që partia të ndahet nga shteti dhe të ketë procese demokratike, është thjesht Flamingo, po e shpall veten Flamingo. Nëse mos ta konsiderosh opozitën si armik për t’u hequr, për t’u vrarë, për t’u ndarë, por si një partner që duhet të ulet në tryezë për të folur për çështjet madhore të Shqipërisë dhe për integrimin europian, është thjesht Flamingo, po dakord. Në rast se kupton që gjenerata Z sot na ka zënë, na ka zënë në sondazhe, po përdor delikatesën e një Flamingoje për të folur. Na ka zënë dhe na ka përzënë nga, pra, njeriu Edi Rama që erdhi në krye të Partisë Socialiste me flamurin e të rinjve të progresit, të Europës, ai që në vitet 90 i fliste pikërisht si brezi që do ndryshim dhe ku Partia Socialiste në të gjithë udhëkryqet e historisë ka qenë udhëheqëse”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






