Transmetuar më 26-11-2026, 22:40

“Në PS të gjithë votojnë në rresht”, Spiropali trondit me deklaratat: Dola nga dera sepse ngrita zërin

Deputetja Elisa Spiropali ka vijuar kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës së funksionimit të Partisë Socialiste, duke deklaruar se demokracia parlamentare në Shqipëri është cenuar dhe se deputetët nuk gëzojnë lirinë e nevojshme për të shprehur qëndrime të ndryshme.

Këtë të enjte në mbrëmje në emisionin “Opinion”, pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar socialist, Spiropali u ndal te funksionimi i Kuvendit dhe mekanizmat e kontrollit të pushtetit ekzekutiv.

“Mekanizmat e kontrollit të Parlamentit janë të ndryshkur. Republika Parlamentare është e cenuar tërësisht në thelbin e vet dhe këtë duhet ta themi. Nuk funksionon”, deklaroi ajo.

Kritikat më të forta i drejtoi ndaj mënyrës se si merren vendimet brenda Grupit Parlamentar të PS-së. Sipas saj, deputetët ndjekin një linjë të përcaktuar votimi, ndërsa çdo qëndrim kundër shihet si tradhti ndaj partisë.

“Ne ende votojmë në rresht në Grupin Parlamentar dhe konsiderohet akt tradhtie çdo votim kundër. Këta bëjnë të gjithë sikur janë bajlozë. Dola nga dera, sepse ngrita zërin. Kam folur brenda aty për këto probleme, jo me ndërkombëtarët, por me Edi Ramën”, u shpreh Spiropali.

Ajo theksoi se shqetësimet për funksionimin e partisë ia ka shprehur drejtpërdrejt Ramës, duke kundërshtuar idenë se kritikat e saj janë ngritur vetëm pas përjashtimit.

E pyetur nëse do ta vazhdojë përballjen politike, Spiropali deklaroi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga bindjet e saj.

“Unë jam aty ku kam qenë dhe do të jem aty gjithmonë dhe asnjë akt i dhunshëm nuk më largon nga bindjet e mia. Edi Rama ka lëvizur nga bindjet dhe vizionet e tij”, tha deputetja.

Spiropali ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e konkurrencës dhe të proceseve të brendshme demokratike në partitë politike shqiptare.

Sipas saj, zërat kritikë janë dekurajuar, ndërsa në Partinë Socialiste mungojnë zgjedhjet e brendshme dhe mekanizmat që do të mundësonin një debat të hapur politik.

Ajo foli për anën e errët të funksionimit të shtetit dhe të partisë ku bën pjesë dhe u përpoq të hedhë dritë sipas saj, për anët e errëta.

“Zërat janë të dekurajuar, janë të shpërndarë. Sot nuk ka procese politike. Ne nuk kemi zgjedhje brenda partisë. Zgjedhje nuk ka brenda partive politike në Shqipëri dhe as procese”, u shpreh ajo.

Në përfundim, Spiropali theksoi se angazhimi i saj nuk lidhet me poste apo përfitime personale, por me bindjen se sistemi politik duhet të ndryshojë.

“Edhe e vetmja qofsha, këtë do të bëj, sepse nuk kam asnjë lloj interesi për karrige”, përfundoi deputetja.

Deklaratat vijnë pas vendimit të Grupit Parlamentar të PS-së për përjashtimin e saj më 24 nëntor, vendim të cilin Spiropali e ka kundërshtuar publikisht.

Kritikat për funksionimin e Kuvendit dhe të Partisë Socialiste janë vlerësime politike të shprehura nga Spiropali gjatë intervistës.

Zonja Spiropali e cilësoi personalizimin ekstrem të pushtetit si një nga problemet kryesore të modelit aktual të qeverisjes, ndërsa theksoi se është e vendosur të angazhohet për ndryshimin dhe evoluimin e sistemit.

“Ne duhet të uleshim me protestuesit, ti jepnim hapësirë opozitës, të bënim një reformë zgjedhore me sistem proporcional me lista të hapura.

Deformimi fillon nga sistemi elektoral. Deformim të votës ka, sepse forca e pushteti është aq e madhe, dhe mbi të gjitha në periferitë e largëta, presioni i pushteti është shumë i madh.

Ka elementë të krimit, korrupsionit, ka elementë të përdorimit të mjeteve të pushtetit, të tenderave dhe shumëçka tjetër në këtë sistem. Edi Rama ka përgjegjësinë si për të parë problematikat, ashtu dhe si për t’i ndryshuar ato. Është kryeministri dhe kryetar i PS. Atdheu të mos trajtohet si pronë private.

Jam në betejë për ta ndryshuar dhe për ta evoluar sistemin. Unë jam ajo që kam qenë dhe do jem. Përgjegjësia më e madhe është modeli i personalizimit ekstrem të pushtetit”, tha ajo.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit